Reklama

Kurti 3 me dy projekte gjigande: Prizren-Tetovë dhe Gjakovë-Shkodër

Albin Kurti

Gjatë mandatit të fundit u përballëm me punë infrastrukturore, që kishin nisur e mbetur në gjysmë për shumë vite, punë të nisura pa projektim dhe pa u kryer procedurat e shpronësimit. Rrugët Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Podujevë, janë në fazën finale të kryerjes së punëve.

Me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, në mandatin e ri do ta përfundojmë ndërtimin e rrugës Prizrën-Tetovë, autostradën Prishtinë-Gjilan me vazhdim deri te Dheu i Bardhë, e cila forcon lidhjen e Luginës me Kosovën. Gjithashtu do ta ndërtojmë autostradën Duhle-Shtime-Banullë. Një lidhje shumë e nevojshme në rrafshin e Dukagjinit, do të bëhet me ndërtimin e rrugës së Dukagjinit, e cila lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën e Istogun. Po ashtu, do të vazhdojmë me ndërtimin e rrugëve Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, për t’i afruar shqiptarët e malësisë me Kosovën.

Gjatë qeverisjes sonë, fokus të veçantë ka pasur rivitalizimi i hekurudhave ekzistuese. Kurse në mandatin e tretë, do të vazhdojmë me këtë proces, krahas të cilit do të fillojë edhe ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Durrës, që përmban segmentin Gjakovë-Shkodër. Do të projektojmë linjën hekurudhore që lidh Prizrenin dhe Ferizajin me Gjilanin dhe Bujanocin.

Funksionalizimi i rrjetit hekurudhor dhe infrastrukturës rrugore do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, duke lidhur zonat e rëndësishme industriale e ekonomike me pikat kyçe të transportit rajonal e ndërkombëtar. Një nga projektet madhore të mandatit të ri është ndërtimi i Portit të Thatë, i cili do ta vendosë Kosovën në hartën ballkanike të transportit të mallrave.

Artikull i sponsorizuar