Zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, i është refuzuar leja e fluturimit për në Bosnjë-Hercegovinë nga autoritetet e këtij vendi. Me këtë rast, ai është detyruar të shkojë në këtë vend me automjet zyrtar.
Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka thënë se Vulini, me qëndrimet e tij aktuale dhe mohimin e gjenocidit të kryer në Srebrenicë, nuk do të marrë asnjëherë leje për të fluturuar.
Në deklaratën e lëshuar nga Qeveria e Serbisë thuhet se janë dorëzuar me kohë të gjitha dokumentet e nevojshme si kërkesë, por autoritetet në BeH nuk kanë dhënë pëlqim për fluturimin e tij.
“Edhe pse kabineti i zëvendëspresidentit të Qeverisë së Serbisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Serbisë në mënyrë të rregullt dhe me kohë i kanë dorëzuar të gjitha informatat e nevojshme dhe dokumentacionin përcjellës, madje duke theksuar qëllimin e vizitës, autoritetet në Bosnjë-Hercegovinë, me heshtjen dhe mospërgjigjjen e saj nuk dhanë pëlqimin për fluturim”, thuhet në deklaratë, raportoi "Klix.ba".
Vulini ka mbërritur në Pale mëngjesin e sotëm me një automjet zyrtar. Në këtë komunë, ku ai shkoi pas ftesës së bërë nga serbët lokalë për të marrë pjesë në liturgjinë solemne me rastin e festës së Fjetjes së Virgjëreshës Mari, u vendosën tabela për mirëseardhjen e Vulinit me mbishkrimin: "Mirë se erdhe kumbar".