Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar shërbimet e jashtme të inteligjencës se po përpiqen që t’ia lëkundin pozitën. Megjithatë, ai ka deklaruar se nuk do të largohet nga shteti i tij, siç ka bërë lideri sirian, Bashar al-Assad.
“Do të luftoj për Serbinë dhe do t’i shërbej vetëm popullit tim serb dhe të gjithë qytetarëve të Serbisë. S’do t’u shërbej kurrë të huajve, ata që duan ta mposhtin, poshtërojnë e shkatërrojnë Serbinë”, ka thënë ai në një video në Instagram, raporton AP.
Kundërshtarët e udhëheqësit populist e kanë krahasuar Vuçiqin me Asadin që iku drejt Moskës, pas një rebelimi të shpejtë që i dha fund regjimit mbi 50-vjeçar të familjes së tij.
Kundërshtarët e Vuçiqit në Serbi e kanë krahasuar me Assadin dhe diktatorë të tjerë, duke parashikuar se ai mund të përpiqet të largohet nga shteti nëse humb pushtetin pas protestave që kanë nisur që nga 1 nëntori, kur çatia e një stacioni të trenit u shemb duke u marrë jetën 15 njerëzve në Novi Sad. Në protestat në Novi Sad, Beograd dhe qytete të tjera është akuzuar korrupsioni për rastin – renovimi ishte kryer nga një marrëveshje me kompani kineze.

Në videon e publikuar, Vuçiqi ka thënë se protestat po shpërndahen përmes “taktikave të ndryshme hibride për të minuar shtetin”.
“Nëse mendojnë se jam Assadi dhe se do të iki diku, unë nuk do ta bëj”, ka thënë Vuçiqi.
Vuçiqi ka thënë se në ditët dhe javët në vijim do të japë detaje se “sa para janë derdhur në katër vjetët e fundit për ta shkatërruar Serbinë”.
Serbia vazhdon të jetë refuzuese e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.