Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka uruar Nicolas Maduron për marrjen edhe të një mandatin në krye të Venezuelës, ndonëse rezultat e zgjedhjeve në shtetin e Amerikës Latine po kontestohen gjerësisht, përfshirë nga SHBA-ja e BE-ja.
Zgjedhjet presidenciale në Venezuelë u mbajtën të dielën. Komisioni Zgjedhor e shpalli të hënën Maduron fitues, por rezultati është kontestuar nga opozita e po ashtu nga shumë shtete tjera.
Kumtimi i rezultatit ka nxitur protesta të reja në kryeqendër të Venezuelës, Karakas.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i është bashkuar atij të Rusisë, Vladimir Putin, në mesin e të paktëve që e kanë uruar Maduron.
“Ju përgëzoj për fitoren në zgjedhje. Kohët në të cilat jetojmë sigurisht nuk janë të lehta dhe ju uroj sukses në përpjekjet tuaja profesionale dhe sfidat në drejtimin e Republikës së Venezuelës”, thuhet në urimin e Vuçiqit, ka njoftuar Presidenca e Serbisë.
Tutje në letër Vuçiq e ka falënderuar Venezuelën që “po e respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë”, duke aloduar te fakti se Venezuela nuk e ka njohur Kosovën.
“Vlerësojmë shumë që Venezuela tregon respekt për parimet e së drejtës ndërkombëtare, Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e mbështetur në këtë mënyrë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë”, ka shkruar në urim Vuçiq.