Rajon

Drejtori i shkollës, sekretarja dhe profesoresha e anglishtes u vranë nga kolegu i tyre në Bosnjë

Pamje nga shkolla në Bosnjë-Hercegovinë

Pamje nga shkolla në Bosnjë-Hercegovinë

E përditësuar (12:31) - Mehmed Vukaliq, një punëtor teknik në gjimnazin “Sanski Most” në Bosnjë-Hercegovinë raportohet se ka vrarë drejtorin e shkollës, Nijaz Haliloviq, mësuesen e anglishtes, Gordana Nigjan dhe sekretaren Nisveta Kljuniq në ndërtesën e shkollës, mëngjesin e së mërkurës.

Sipas informacioneve jozyrtare, Vukaliq thuhet se ka pasur mosmarrëveshje me Haliloviqin, Nigjanin dhe Kljuniqin. Viktimat ishin anëtarë të komisionit që e suspendoi Vukaliqin.

Siç raportojnë mediat boshnjake, Vukaliq ka hyrë në shkollë i armatosur me armë automatike, dhe ka vrarë tre persona, e më pas ka tentuar të bëjë vetëvrasje.

Ai tani ndodhet në një spital në Banja Lukë dhe është në gjendje të rëndë.

"Ai u përpoq të bënte vetëvrasje dhe u plagos rëndë", ka thënë zëdhënësi i policisë për Una-sana, Adnan Beganoviq.

Shkolla nuk ishte rihapur ende nga pushimet verore, kështu që nuk është përfshirë asnjë fëmijë.


Tre të vrarë nga një sulm i armatosur në një shkollë në Bosnjë-Hercegovinë

Tre persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë pasi një sulmues ka shtënë në drejtim të tyre në një shkollë në Sanski Most të Bosnje e Hercegovinës.

Siç raportojnë mediat në BeH, të vrarët ishin punonjës të shkollës derisa jozyrtarisht është mësuar se ata janë: drejtori i shkollës, sekretarja dhe një profesoreshë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Una-Sana, Adnan Beganoviq ka konfirmuar rastin. 

“Mund të konfirmoj se në gjimnaz janë përdorur armë zjarri dhe tre persona kanë mbetur të vrarë e një është plagosur rëndë. Të gjitha detajet do të dihen pas hetimeve”, ka thënë Beganoviq. 

Sipas informacioneve të mediumeve në BeE, autori i sulmit dyshohet se ishte një portier në gjimnaz i cili ishte acaruar në mbledhjen e profesorëve duke hapur zjarr. 

Mediat në Bosnjë raportojnë se sulmuesi tentoi të vetëvritej pas aktit brutal.

Sipas informacioneve jozyrtare ai ka qëlluar veten me plumb në kokë dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në një spital në Banja Luka.