Në Pirogov të Bullgarisë janë pranuar gjithsej tetë persona të lënduar nga zjarri në diskotekën e Koçanit në Maqedoni të Veriut, tre prej të cilëve janë nën moshën 18 vjeçare, tha drejtori i spitalit në Pirogov, Valentin Dimitrov për mediumin bullgar BTA.
Tre nga të pranuarit janë nën moshën 18 vjeç – dy vajza dhe një djalë, dhe pjesa tjetër – katër burra dhe një grua, janë mesatarisht 22-25 vjeç. Pacienti më i vjetër është 31 vjeç.
Sipas Dimitrovit, gjendja e tyre është e rëndë.
“Tre nga viktimat janë intubuar, ndërsa pjesa tjetër janë në pritje të vlerësimit të mëtutjeshëm të gjendjes së tyre dhe planit të trajtimit. Gjithçka që duhet do të bëhet, spitali ka gjithçka që duhet”, ka shtuar ai.
Gjashtë nga të plagosurit u shtruan në Spitalin në Varna dhe Spitalin Shën Gjergji në Plovdiv.
Bullgaria është zotuar të pranojë 14 persona për trajtim. /Alsat-m