Të shtunën në Beograd është organizuar protesta më e madhe në Serbi në 20 vjetët e fundit, e cila i ka mbledhur qindra mijëra studentë dhe qytetarë nga e gjithë Serbia. Rrugët kryesore në qendrën e Beogradit u bllokuan për disa orë nga turmat e protestueseve paqësorë. Turma në Sheshin Sllavija të Beogradit nisi të shpërndahej, pasi studentët që organizuan protestën, njoftuan se ajo ka përfunduar. E pas përfundimit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq u shpreh se institucionet e kanë kuptuar mesazhin
Studentët i prijnë popullit për rrëzimin e Vuçiqit
Qindra mijëra njerëz kanë protestuar në Beograd të shtunën, në tubimin që po shihet si kulmi i protestave disamujore kundër presidentit popullist, Aleksandar Vuçiq, dhe qeverisjes së tij.
Turma të mëdha të njerëzve që protestonin me flamuj bllokuan rrugët e kryeqytetit, pavarësisht reshjeve të herëpashershme të shiut. Njerëzit kishin vështirësi të ecnin nga numri i madh i të pranishmëve. Shumë prej tyre përfunduan pa mbërritur as në vendet për të cilat ishte nisur turma masive.
Pas incidenteve sporadike në mes të protestuesve dhe të policisë, studentët – të cilët kanë organizuar protesta paqësore qe katër muaj – bënë thirrje për fund të protestës të së shtunës, duke thënë se nuk mund të garantonin më shumë sigurinë e të gjithëve. Ata më vonë u raportua të jenë kthyer nëpër fakultete për të kaluar natën. Teksa një pjesë e konsiderueshme e protestuesve u tërhoqën, por mijëra të tjerë mbetën rrugëve në kohën kur nisën tensionet. E për këto tensione, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq u shpreh se “janë ekstremistë që sulmuan studentët protestues, por edhe studentët e ‘Parkut të Pionierëve’”.
Policia ka thënë se turma mbërriti në 107 mijë njerëz në pikë të protestës. Mediat e pavarura serbe e kanë përshkruar tubimin si më të madhin ndonjëherë në shtet, duke thënë se shifrat ishin shumë më të larta.
I gjithë transporti publik në Beograd ishte ndërprerë pasi qytetarët vinin në këmbë në qytet nga drejtime të ndryshme.
Tubimi ishte vazhdimësi e lëvizjes kombëtare serbe antikorrupsion, që shpërtheu pasi një strehë betoni u shemb në një stacion treni në Novi-Sad dhe u mori jetën 15 personave. Kjo pati ndodhur më 1 nëntor të vitit të shkuar.
Protesta gati të përditshme nisën si reagim i menjëhershëm atë kohë. Demonstratat kanë shkundur pushtetin e fortë të Vuçiqit në Serbi, sikur s’ka ndodhur asnjëherë më parë në 13 vjet qëkur është në pushtet. Shumë në Serbi fajësojnë korrupsionin e shfrenuar të qeverisë, neglizhencën dhe mosrespektimin e rregullave të sigurisë së ndërtimit, duke kërkuar llogari për viktimat.
I ftuar me emrin “15 për 15”, tubimi i së shtunës i referohej datës së protestës dhe numrit të njerëzve të vdekur në Novi-Sad. Në nderim të viktimave, turma masive qëndroi për 15 minuta e heshtur në mbrëmje.
Vuçiq: E kuptuam mesazhin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas protestës masive të qytetarëve se pushteti e ka kuptuar mesazhin e tyre. “Të gjithë njerëzit në pushtet duhet ta kuptojnë mesazhin kur mblidhen kaq shumë njerëz. Ne do të duhet të ndryshojmë”, ka thënë ai. Megjithatë, sipas tij, shumica e qytetarëve “nuk e duan revolucionin me ngjyrë”.
Ai ka thënë se po të mos ishin traktorët “do të ishte e vështirë të ndalej gjakderdhja”. Vuçiqi ka thënë po ashtu se 22 persona janë arrestuar e se janë lënduar 56 persona.
E para protestës masive, Vuçiqi në vazhdimësi ka paralajmëruar për “plane për trazira” teksa kërcënoi me arrestime e dënime të rënda për çfarëdo incidenti.
Nëpërmjet fishkëllimave e vuvuzelave qytetarët iu përgjigjën të shtunën. “Ai ka marrë fund”, ishin disa pankarta që mbanin qytetarët. Turma brohoriste në vazhdimësi "Pompoje" si slogan që e kanë përdorur që katër muaj prej kur nisën protestat e udhëhequra prej studentëve.
“Pres që kjo t’ia shkundë autoritetin e tij dhe që Vuçiqi ta kuptojë se njerëzit më nuk janë me të”, ka thënë Milenko Kovaçeviq, protestues në mesin e turmës masive.
Turma e së shtunës nuk është fundi i një lufte për Serbi më demokratike, ka thënë protestuesi tjetër Dejan Simiq. “Ky është vetëm fillimi i fundit. Një proces që shpresoj të marrë fund së shpejti”, ka thënë ai.
Studentët protestues kanë qenë forca kryesore për lëvizjen anti-qeveri me thirrjet e tyre për drejtësi. Vendosmëria e studentëve ka bërë që të nxiten edhe qytetarët që janë të pakënaqur me politikanët dhe që kanë humbur besimin në institucionet e shtetit.
Numri i madh i policëve
Të premten në mbrëmje, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Beograd në pritje të studentëve që vinin në këmbë apo me biçikleta për ditë të tëra nga e gjithë Serbia në drejtim të kryeqendrës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, i tha transmetuesit publik RTS se 13 persona janë arrestuar gjatë natës. Ai ka thënë se Policia ka ndaluar gjashtë aktivistë të opozitës për siç u shpreh ai, tentim të organizimit të një grushtshteti dhe shkaktim të trazirave.
Para mëngjesit të së shtunës, mijëra serbë u mblodhën në zona të ndryshme të qytetit teksa marshonin në drejtim të qendrës. E gjithë zona u mbush me njerëz disa orë para orarit të caktuar për nisje të marshit kryesor.
Pas tensioneve, Policia ka thënë se e ka arrestuar një burrë që u fut me veturë në turmën në afërsi të qendrës, duke lënduar tre persona. Qindra zyrtarë policorë ishin angazhuar brenda dhe jashtë objekteve qeveritare dhe përpara pallatit presidencial.
Shumica e linjave hekurudhore dhe të autobusëve në drejtim të Beogradit ishin anuluar, në përpjekje që dukej se bëhej me qëllim për të parandaluar pjesëmarrjen e njerëzve në tubim. Kompania e transportit ka thënë se anulimi u bë për shkak të “arsyeve të sigurisë”.
Disa gazetarë nga shtetet fqinje, si Kroacia dhe Sllovenia, u refuzuan të hynin në Serbi. Atyre iu ndalua hyrja në kufi nën arsyetimin se prania e tyre në tubimin e organizuar “paraqet rrezik për sigurinë”.
Akuza Perëndimit
Vuçiqi ka refuzuar prerazi propozimet për një qeveri kalimtare që do të përgatiste vendin për zgjedhje të parakohshme. Në mes të tensioneve, mbështetësit e Vuçiqit patën ngritur një kamp në qendër të Beogradit, para zyrave të tij shtetërore. Aty përfshiheshin ish-pjesëtarë të njësive paramilitare të cilat ishin të përfshira në vrasjen më 2003 të ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiq. Po ashtu në këtë grup ka pasur edhe huliganë të futbollit, të cilët njihen për shkaktim të dhunës.
Televizioni privat “N1” të shtunën ka transmetuar pamje në të cilat shiheshin disa burra të rinj me kapela bejsbolli teksa hynin në kampin pro-Vuçiqit.
Vuçiqi ka akuzuar në vazhdimësi shërbimet perëndimore të inteligjencës se po qëndrojnë prapa protestave gati të përditshme të studentëve me qëllim të rrëzimit të tij nga pushteti. Por asnjëherë nuk ka ofruar dëshmi për këto pretendime.
Tubimet e mëhershme të studentëve në qytete të tjera të Serbisë përfundonin paqësisht, edhe pse kishin po ashtu numër të madh të pjesëmarrësve./AP
Sa njerëz protestuan në Beograd?
Përderisa Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se në protestën në Beograd kanë marrë pjesë 107 mijë qytetarë, ish-ministri i Brendshëm serb, Bozho Preleviq, ka thënë se kanë qenë më shumë se 500 mijë pjesëmarrës.
Ai ka krahasuar sheshin Sllavije dhe rrugët përreth mee stadiume futbolli.
Sipas tij, numri ka mundur të jetë edhe më i madh.
Studentët nisin të tërhiqen pas gjuajtjeve nga mbrojtësit e Vuçiqit
Studentët protestues kanë njoftuar se protesta e tyre ka marrë kahe tjetër dhe do të përfundojë për shkak të hedhjeve të gjësendeve nga grupi që po mbron presidentin Aleksandar Vuçiq nga protestat e studentëve serbë në Beograd.
“Protesta e studentëve po përfundon. Njerëzit tanë po i heqin uniformat. Apelojmë te qytetarët të tërhiqen në mënyrë të sigurt”, ka shkruar në rrjete sociale grupi i studentëve.
Raportohet për tensione në protestën në Beograd
Është raportuar për incidente e tensione në protestën në Beograd.
Siç ka shkruar Radio Evropa e Lirë, në shërbimin në gjuhën serbe, incident ka pasur nga grupi “i studentëve që duan të mësojnë”. Ky është grupi që po konsiderohet si mburojë për presidentin Aleksandar Vuçiq. Është raportuar se nga ky grup ka pasur hedhje të objekteve e mjeteve piroteknike.
Megjithatë raportohet se gjithçka ndodhi brenda zonës së mbrojtur nga Policia.
Rojet e studentëve menjëherë qetësuan situatën dhe krijuan distancë.
Edhe N1 ka raportuar për tension te Parlamenti. E “Nova.rs” ka raportuar që xhandarmëria është nisur në drejtim të objektit të Kuvendit.
Qindra mijëra serbë bllokojnë Beogradin - Foto nga protesta
Qindra mijëra serbë kanë bllokuar sheshin Sllavija në qendër të Beogradit, bazuar në fotografitë e publikuara në mediume të ndryshme në Serbi.
Protesta më e madhe ndër vite po organizohet në kërkim të përgjegjësisë politike dhe penale për tragjedinë në Novi-Sad më 1 nëntor 2024, ku nga shembjae një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit humbën jetën 15 persona.
Foto: Shërbimi i Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe



Sipas autoriteteve në Serbi, në Beograd protestuan 107 mijë qytetarë
Sipas të dhënave të Policisë në Serbi, numri maksimal i serbëve që kanë protestuar në të gjitha rrugët e Beogradit të shtunën ka qenë rreth 107 mijë.
Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, numri është në rënie.
Protesta ka nisur nga mëngjesi e pritet të vazhdojë deri në mbrëmje.
Nisin fjalimet e studentëve në Beograd: S’do të lejojmë të na privoni lirinë
Kanë nisur fjalimet studentë në protestën e madhe të Beogradit.
Në sheshin “Sllavia”, studenti i parë që ka folur ka bërë thirrje që “zëri i tyre të dëgjohet”.
Ndërkohë gjatë fjalimit të studentes së dytë një grua u ngjit në skenë duke tentuar t’ia marrë mikrofonin.
“S’do të lejomë më që të na privoni lirinë tonë”, ka thënë studentja gjatë fjalimit.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, është fotografuar teksa po i përcillte protestat e studentëve nga ndërtesa e ministrisë.

Nis zyrtarisht protesta në Beograd, dalin pamje nga droni
Ka nisur në orën 16:00 zyrtarisht protesta më e madhe ndër vite në Serbi. Qindra mijëra njerëz janë mbledhur në mbështetje të studentëve që po kërkojnë përgjegjësi penale e politike për vdekjen e 15 njerëzve më 1 nëntor në Novi-Sad nga shembja e një strehe të një stacioni policor.
Ndërkohë janë publikuar pamje nga droni që kanë treguar numrin e madh të pjesëmarrësve në protestë.
Od Skupštine do Tehničkih fakulteta ⌛snimljeno oko 15.15 ⛽ pic.twitter.com/BaMSs08VcH
Protestuesit afrohen te Parlamenti i Serbisë
Dhjetëra mijëra protestues janë mbledhur afër Parlamentit të Serbisë të shtunën, në protestën më të madhe ndër vite, të organizuar prej studentëve që po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave më 1 nëntor të vitit të shkuar nga shembja e strehës së hekurudhës në Novi-Sad.
Protestuesit po mbajnë flamuj dhe simbole të qyteteve prej nga vijnë.
Ndërkohë te pallati presidencial janë mbledhur mbështetës të presidentit Aleksandar Vuçiq. Tensionet janë të larta
Shpërndahen fotografi të “personave problematikë” të kamufluar mes protestuesve serbë
Nëpër rrjetet sociale në Serbi po shpërndahet informacioni që qytetarët të cilët po protestojnë të shtunën në kryeqytet të kenë kujdes ndaj disa individëve të caktuar.
Janë shpërndarë edhe fotografi ku thuhet se një grup i organizuar do të përfshihen në tubimin masiv të shtunën. Në postime tregohet shenja dalluese në bluzat e “personave problematikë”, raportoi Nova.
Sipas këtyre njoftimeve, këta persona kanë nga një shenjë të kaltër në bluza si dhe mbajnë kapele.

Numër i madh protestuesish, por edhe forcash policore në Beograd
Qindra mijëra njerëz tashmë janë mbledhur në qendër të Beogradit për protestën që zyrtarisht pritet të nisë në orën 16:00.
Nga të gjitha drejtimet e qytetit studentë e qytetarë janë mbledhur me synimin për të arritur përpara Parlamentit serb dhe sheshit “Slavija”, ndërsa forca të shtuara policie po ashtu janë vendosur nëpër kryeqytet.
Deri më tash nuk ka pasur incidente serioze, përveç rastit kur një person voziti drejt turmës duke lënduar tre persona dhe një tjetër më vonë u arrestua pasi kërcënoi me bombë policët.
Në qendër janë parë të pozicionuar edhe kamionë me ujë. Pavarësisht protestave të vazhdueshme paqësore, kjo e sotmja ka nisur me tension dhe frikë se mund të përfundojë me dhunë. Presidenti Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar arrestime.
Vetura futet mes turmës në Beograd, disa të lënduar
Një veturë i është drejtuar turmës në Beograd të shtunën kur mijëra njerëz veçse janë dyndur në kryeqytet për të protestuar.
Studentët e qytetarët u mblodhën në paqe, por ky incident nxiti reagimin e policisë. Disa persona raportohen të lënduar, raportoi Nova.
Shoferi është arrestuar, kurse të lënduarit janë dërguar për trajtim.
Nuk është ende i qartë motivi i tij.
Numër i madh i forcave policore dhe xhandarmërisë janë angazhuar në qendër të Beogradit, para nisjes së protestës së thirrur nga studentët në 16:00. Të gjitha mjetet transportuese të kompanisë së transportit të qytetit të Beogradit janë tërhequr nëpër garazhet e tyre prej mëngjesit të së shtunës, dhe nuk do të operojnë gjatë ditës.
15 minuta heshtje janë mbajtur në orën 12:00 në nderim të 15 viktimave që vdiqën nga shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad.
VIDEO
Automobil se u Žarkovu zaleteo u masu. Prema informacijama više ljudi je povređeno pic.twitter.com/S4ayz90CsG
— Stranka slobode i pravde (@SlobodaIPravda) March 15, 2025
13 të arrestuar para nisjes së protestës në Beograd
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se mbrëmë, 14 mars, tubimi në Beograd ku janë pritur studentë nga qytetet e tjera ka kaluar kryesisht pa incidente të mëdha. Ministri serb i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se 13 persona janë arrestuar për prishje të rendit publik.
Sipas njoftimit të ministrisë, personat janë arrestuar për prishje të qetësisë dhe rendit publik, ndërsa një numër i madh i traktorëve afër parkut janë dëmtuar – me një traktor që u kthye përmbys e një tjetër që u shty në rrugë.
Në kulmin e tubimeve të mbrëmshme në të gjitha lokacionet e qytetit, numri total i personave të mbledhur nga pjesë të tjera të Serbisë dhe ata nga Beogradi që i pritën, sipas vlerësimeve të policisë, ishte rreth 31,000.
Përveç rasteve të izoluara, nuk ka pasur incidente të mëdha dhe shkelje të rendit publik, ndërsa ministria iu ka bërë thirrje pjesëmarrësve që tubimi të jetë paqësor.
Studentët protestues kanë lajmëruar se përveç se para Parlamentit, ata do të tubohen edhe në sheshin Slavia orën 16:00.