Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka deklaruar se 118 persona janë shtruar në spitalet e Koçanit, Shtipit dhe Shkupit, ku k thënë se të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion, shkruan “Alsat-m”.
Taravari nuk ka dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve, megjithatë bëri me dije se të gjithë pacientët janë shtruar në spitale dhe po marrin trajtim.
Ai njoftoi se detaje do të japë pasi të vizitojë spitalet në të tri vendet dhe të bisedojë me mjekët që i trajtojnë.
Ndërsa drejtoresha e spitalit në Koçan, Kristina Serafimova, në deklarimin e parë për media njoftoi se në këtë spital trajtohen rreth 20 pacientë me lëndime më të lehta, ndërsa të lënduarit që janë në gjendje më të rëndë janë dërguar në Klinikat e Shtipit dhe Shkupit.
Serafimova shtoi se një numër i madh i viktimave kanë vdekur në vendngjarje e disa prej tyre sapo kishin mbërritur në spital.
Sipas drejtores së spitalit te Koçanit personat e vdekur janë nga mosha 14-24 vjeçare.
Janë identifikuar për momentin vetëm ata që kanë pasur me vete letërnjoftime.
Personat që trajtohen në spitale kanë pësuar djegie dhe janë helmuar nga tymi i zjarrit.
