Tre muaj pas vdekjes së 15 personave si pasojë e shembjes së çatisë në stacionin hekurudhor në Novi Sad, studentët në Serbi kanë bllokuar tri ura mbi lumin Danub në këtë qytet.
Urat do të mbesin të bllokuara për tri orë dhe më pas do të mblidhen në Urën e Lirisë për 24 orë.
Studentëve të Novi Sadit u janë bashkuar edhe studentët prej Beogradit, të cilët kanë ecur për dy ditë prej kryeqytetit.
Pas protestave të vazhdueshme, javën që po shkon kryeministri Millosh Vuçeviq dha dorëheqje.
Megjithatë, studentët kanë thënë se do të protestojnë deri sa të publikohet i gjithë dokumentacioni për rindërtimin e stacionit hekurudhor dhe që përgjegjësit të japin përgjegjësi.