Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski para pak çastesh deklaroi se numri i viktimave nga tragjedia në Koçan ka shkuar në 59, derisa numri i të lënduarve është rritur në 155.
Sipas Toshkovski në mesin e viktimave është edhe një polic, raportoi "Alsat-M".
Polici sipas Toshkovskit ka qenë në detyrë dhe në kontroll për përdorim të lëndëve narkotike.
Për katër persona është lëshuar fletarrest qendror lidhur me zjarrin në diskotekën e Koçanit, i cili shpërtheu mbrëmë, dhe në të cilin sipas informacioneve me të cilat disponojnë autoritetet deri në orën 11:30 kanë humbur jetën 59 persona, prej të cilëve 35 janë identifikuar, prej tyre 31 janë nga Koçani, katër nga Shtipi.
“Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike, aktualisht vepron në Ministrinë e Ekonomisë, nga ku po sigurohet dokumentacioni për diskotekën në fjalë, si dhe personat e lidhur me të”, tha Toshkovski.
Ministri theksoi se në këtë moment nuk mund të thotë më shumë për katër personat për të cilët është lëshuar urdhër arresti.
Si pasojë e zjarrit që shpërtheu mbrëmë në diskotekën “Puls” në Koçan ku po performonte grupi ADN, këngëtari Vlladimir Blazev-Panço ka pësuar djegie në fytyrë dhe dorë dhe ndodhet në mbështetje oksigjeni, kanë informuar familjarë të artistit.
Pesë anëtarë të grupit muzikor DNK në mesin e viktimave në Koçan
Filip Stefanovski, Gjorgi Gjorgiev, Sara Projkovska dhe Andrej Gjorgievski - katër anëtarët e grupit muzikor DNK si dhe fotografi i grupit Aleksandar Efremov humbën jetën në mbrëmjen e së shtunës në diskotekën PULS në Koçan.
Lajmin e bënë të ditur anëtarë të grupit DNK të cilët publikuan në rrjete sociale fotografitë e anëtarëve të tyre.
Anëtarë të grupit si dhe shokët e të ndjerëve, përmes postimeve të tyre në rrjetet sociale, i dhanë lamtumirën miqve të tyre.
Në këtë ngjarje tragjike jetën humbi edhe futbollisti i klubit Shkupi, Andrej Llazarovi. Nga klubi Shkupi në Facebook shkruajnë se kjo është një humbje e madhe për klubin dhe shokët e ekipit, ndërsa shtojnë se shoku i tyre, ka humbur jetën duke luftuar për të shpëtuar njerëzit që në momentin e zjarrit tentonin të largoheshin.
“Andrej Llazarov, në FC Shkupi ka qenë vetëm gjashtë muajt e fundit, por për këtë klub do të mbetet në kujtime gjithë jetën”, shkruajnë nga klubi i futbollit Shkupi.
