Në Ambasadën amerikanë në Sarajevë kanë thënë se propozimi për ndarje bie ndesh me Marrëveshjen e Daytonit dhe se “ndarja” do ta nënkuptonte fundin e Republika Sërpskës. Në BE kanë thënë se nuk i tolerojnë sjelljet që e rrezikojnë sovranitetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës teksa në Mbretërinë e Bashkuar kanë se Republika Sërpska nuk mund të ekzistojë jashtë shtetit, porse vetëm si një entitet përbrenda Bosnjë-Hercegovinës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë reaguar ashpër të premten ndaj njoftimit të autoriteteve të Republika Sërpskës se ky entitet serb do t’i dërgojë një propozim për “ndarje paqësore” entitetit të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës.
Në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar të enjten Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, Qeveria në Republika Sërpska ka njoftuar se brenda 30 ditësh do të shkruajë një propozim për marrëveshje, lidhur me ndarjen paqësore në Bosnjë-Hercegovinë.
Këtë paralajmërim të adresuar nga kryetari i entitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, në Ambasadën amerikane në Sarajevë e kanë kualifikuar si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme, teksa kanë bërë të ditur se “ndarja” do ta nënkuptonte fundin e Republika Sërpskës. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, në Ambasadë kanë thënë se propozimi bie ndesh me Marrëveshjen e Daytonit dhe se e “vë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial si dhe karakterin shumetnik të Bosnjë-Hercegovinës”.
E në Bashkimin Evropian (BE) kanë thënë se vendet e bllokut evropian nuk i tolerojnë sjelljet që e vënë në rrezik sovranitetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës.
“Për fat të keq, nuk është hera e parë që dëgjojmë deklarata të tilla nga Dodik. BE-ja është e qartë dhe kjo është përsëritur disa herë. BE-ja dhe të gjitha vendet anëtare e mbështesin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë-Hercegovinës. Sovraniteti, integriteti territorial, rendi kushtetues i Bosnjë-Hercegovinës duhet të ruhen, e ata që e shkelin këtë do të kenë pasoja serioze”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë.
Stano ka përsëritur se deklaratat e tilla të Dodikut apo të cilitdo politikan tjetër në Bosnjë-Hercegovinë vetëm sa do t’i izolojnë edhe më shumë ata politikanë të cilët edhe ashtu janë të izoluar.
Bashkimi Evropian vazhdon të përsërisë se liderët në territorin e Ballkanit Perëndimor, pa marrë parasysh se nga vijnë, duhet të përmbahen nga deklaratat nxitëse dhe të punojnë më shumë në forcimin e bashkëpunimit në rajon, i cili është i domosdoshëm edhe për përparimin në rrugën drejt integrimit në BE.
Julian Rielly, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Sarajevë, ka reaguar ndaj propozimit me anë të një postimi në platformën X, në të cilin ka shkruar se “nuk është e vërtetë që Republika Sërpska mund të shkëputet nga Bosnja dhe as që mund të ekzistojë jashtë shtetit”, porse vetëm si një entitet përbrenda Bosnjë-Hercegovinës.
Qeveria e Republika Sërpskës e ka shtruar propozimin për “ndarje” gjatë një mbledhjeje të mbajtur në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të enjten, kur është miratua Rezoluta nëpërmjet së cilës 11 korriku është përcaktuar që të shënohet për çdo vit si Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Në 11 korrikun e 1995-s, forcat serbe të Bosnjës patën vrarë mbi 8.000 burra e djem myslimanë në Srebrenicë.
Disa vende anëtare të BE-së nuk kanë votuar për miratimin e rezolutës, ani se ajo ishte propozuar dhe sponsorizuar nga shumë vende anëtare të saj. Hungaria ka votuar kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja kanë abstenuar.
Zëdhënësi i BE-së, Stano, ka thënë të premten se vendimi për të votuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u takon qëndrimeve individuale të vendeve anëtare, teksa ka shtuar se për BE-në si bllok është e qartë se gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të mohohet.
“Ne, si BE, nuk jemi si anëtar i OKB-së. Sa i përket BE-së, ne kemi qëndrimin e qartë dhe e kemi përsëritur rregullisht çdo përvjetor. Gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të mohohet e as të relativizohet“, ka theksuar ai.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e ka karakterizuar krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007. Për këtë gjenocid të 1995-s deri më tash janë dënuar më shumë se 50 persona, me rreth 700 vjet burgim. Në mesin e të dënuarve janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, si dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mladiq.