Rajon

Serbisë mund t’i bllokohet anëtarësimi në BE, shkak Rusia

Aleksandar Vucic dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

“Ne duhet të sigurohemi se ata kuptojnë se vendimet vijnë me kosto”, ka deklaruar Jonatan Vseviov, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Estonisë. “Pasojat janë që ata nuk do të hyjnë në Bashkimin Evropian”.

Serbisë mund t’i bllokohet anëtarësimi në Bashkimin Evropian nëse presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, udhëton për në Rusi muajin e ardhshëm për paradën e Ditës së Fitores, që do të organizohet nga presidenti rus Vladimir Putin.  

Media shtetërore ruse ka raportuar se Aleksandar Vuçiq do të jetë një nga liderët e huaj që do të marrë pjesë, si dhe do të kontribuonte me pajisje ushtarake në manifestimin e 9 majit. 

Në përgjigje zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar Vuçiqin se vizita e tij do t’i thyente kriteret për anëtarësimin në bllok dhe do t’i distanconte ambiciet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në BE.

“Ne duhet të sigurohemi se ata kuptojnë se vendimet vijnë me kosto”, ka deklaruar Jonatan Vseviov, sekretar  i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Estonisë. “Pasojat janë që ata nuk do të hyjnë në Bashkimin Evropian”. 
“Rusët kanë punuar shumë që të kenë pjesëmarrës... për ne ky do të ishte një test i rëndësishëm tregues. Praktikisht çfarë jemi duke kërkuar është nëse ata janë në anën tonë apo po luajnë në ekipin tjetër”, ka thënë Vseviov. 

Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme e siguri, ka deklaruar se ministrat e jashtëm të BE-së kanë diskutuar rreth anëtarëve të bllokut që mund të marrin pjesë në ceremoninë në Moskë. U bisedua gjatë një takimi të hënën. 

“Çfarë është diskutuar gjithashtu qartësisht dhe që është thënë nga shtete të ndryshme, është se çdo pjesëmarrje në paradën e 9 majit apo festimet në Moskë nuk do të merren lehtë në anën e Evropës, duke konsideruar se me të vërtetë është duke zhvilluar një luftë të gjerë në Evropë”, ka deklaruar ajo. 

Për një kohë të gjatë Serbia është munduar që në të njëjtën kohë të kultivojë marrëdhënie me Brukselin dhe Moskën. 

Ajo ka aplikuar të anëtarësohet në bllok në vitin 2009 dhe është bërë kandidate për anëtarësim në vitin 2012. 

Bisedimet për pranimin e Serbisë janë ndërprerë viteve të fundit, pasi nuk i kishte vendosur sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës. 

Beogradi ka refuzuar të vendosë sanksione, siç kanë bërë shtetet perëndimore, duke mos e harmonizuar politikën e saj të jashtme me atë të BE-së.  

Rusia e ka në pronësi të vetmen rafineri të naftës në Serbi dhe është duke refuzuar ta shesë, duke e lënë shtetin e Ballkanit Perëndimor të varur nga Moska për stabilitet ekonomik. 

Kallas është detyruar t’i paralajmërojë anëtarë të BE-së për të mos marrë pjesë në ceremoninë e Ditës së Fitores, ditë ku Rusia përkujton fitoren ndaj nazizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Sllovakia, anëtare e BE-së, e cila ka lidhje të ngushta me Moskën, po ashtu është ftuar në atë ngjarje.  
Kryeministri sllovak Robert Fico ka deklaruar vitin e kaluar se ai do të marrë pjesë dhe është një nga liderët e rrallë të bllokut që është takuar me Putinin, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. 

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbani, i cili konsiderohet aleati më i afërt  i presidentit rus, Vladimir Putin, në Evropë, nuk do të marrë pjesë në këtë ngjarje. 

“Po ashtu kam bërë thirrje ndaj të gjitha shteteve anëtare, por po ashtu edhe përfaqësueseve të institucioneve për ta vizituar Kievin sa më shumë që të jetë e mundur për të shfaqur me të vërtetë solidaritetin tonë dhe se ne jemi me Ukrainën”, ka shtuar Kaja Kallas.