Serbia është afër nënshkrimit të marrëveshjes për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë francezë, “Rafale”, ka njoftuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të martën. E, sipas agjencisë prestigjioze të lajmeve, “Associated Press”, kjo paraqet ndërrim kahu nga furnizuesi tradicional ushtarak i Serbisë, Rusia.
Vuçiqi ka qëndruar të hënën dhe të martën në Paris. Ka takuar presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe zyrtarë të mbrojtjes, përfshirë zyrtarët e kompanisë prodhuese të aeroplanëve, “Dassault Aviation”.
Vuçiqi ka thënë se ka pasur bisedë shumë të mirë me Macronin të hënën në mbrëmje, e që zgjati më shumë se tri orë, dhe se “kanë arritur marrëveshje konkrete për blerjen e aeroplanëve luftarakë ‘Rafale’”.
Ai ka thënë se kontratat do të nënshkruhen në dy muajt e ardhshëm në praninë e Macronit, duke shtuar se blerja e aeroplanëve të sofistikuar do ta zgjerojë ndjeshëm bashkëpunimin ushtarak dhe ndërshtetëror mes dy vendeve.
Detajet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë publike, por mediat pro-qeveritare në Serbi, kanë raportuar se bëhet fjalë për rreth tre miliardë euro. Serbia ka qenë duke konsideruar blerjen e aeroplanëve “Rafale” qe më shumë se dy vjet, qëkur fqinji i saj, Kroacia bleu 12 njësi të njëjta të përdorura, për rreth një miliard euro. Blerja potenciale e “Rafaleve” do t’ia mundësonte Serbisë modernizimin e forcës ajrore, që kryesisht përbëhet nga “MiG-29”, dhe pajisje të tjera nga koha e Jugosllavisë.
AP-ja tutje ka shkruar se Rusia ka qenë tradicionalisht furnizuesi i pajisjeve ushtarake, përfshirë edhe helikopterëve për Serbinë, e cila ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Moskës ndaj agresionit në Ukrainë.
Armatosja e shpejtë e ushtrisë së Serbisë ka qenë shqetësim i theksuar ndër vite në rajon. Serbia, si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është gati e rrethuar nga shtete të NATO-s.
“Kritikët e Perëndimit për armatosjen e Serbisë kanë thënë se shitja e aeroplanëve të sofistikuar francezë mund ta inkurajojë Vuçiqin që ndoshta të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë, ish-krahinën që shpalli pavarësinë më 2008, e të cilën Serbia nuk e njeh. Lideri populist serb ka bërë disa kërcënime të tilla gjatë muajve të fundit”, ka shkruar AP-ja.
Gjatë bisedës me Macronin në Paris, Vuçiqi dhe presidenti francez kanë diskutuar edhe për tensionet në Kosovë dhe bashkëpunimin në fushën e teknologjisë bërthamore dhe ndërtimin e mundshëm të një termocentrali bërthamor në Serbi.