Një grup opozitar në Serbi ka nisur një peticion kundër ndërtimit të një projekti të pasurive të paluajtshme e financuar nga firma e dhëndrit të Donald Trump në vendin e ish-shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, e cila u shkatërrua nga fushata e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, raporton Associated Press.
Më parë këtë muaj, Jared Kushner konfirmoi raportet se kompania e tij planifikonte të financonte projektin në Beogradin qendror. Projekti përfshin një hotel të lartë, një kompleks apartamentesh luksoze, hapësira për zyra dhe dyqane.
Peticioni, i nisur të hënën, i kërkon Qeverisë së Serbisë të respektojë ligjin, sipas të cilit ndërtesa mund t’i rikthehet vetëm funksionit të saj origjinal. Gjithashtu kërkohet që Muzeu i Historisë Serbe të krijohet në atë vend.
Lëvizja opozitare Kreni-Promeni ka bërë të ditur se 10 mijë njerëz kanë nënshkruar peticionin në më pak se 24 orë.
Zyrtarët e qeverisë pro-Trump në Serbi e kanë mirëpritur projektin, por opozita serbe dhe shumë në publikun e gjerë janë shprehur kundër tij. Për shumë njerëz, ish-selia e ushtrisë serbe është një simbol i fuqishëm i rezistencës së Serbisë kundër asaj që ata e quanin agresion të NATO-s 25 vjet më parë.
Në fillim të këtij muaji, Shqipëria pranoi se i është ofruar aplikimi për një projekt investimi nga firma e Kushner, “Affinity Partners”, për ta kthyer një ish-bazë ushtarake në ishullin e Sazanit në detin Adriatik, në një vendpushim. Kryeministri Edi Rama ka thënë se Shqipëria është krenare që ka tërhequr një interesim të tillë.