Raporti i fundit i Komisionit Evropian ka konstatuar se në Serbi presioni politik mbi institucionet e drejtësisë mbetet i lartë.
Në raport ndër të tjera thuhet se përkundër hapave të ndërmarrë për të reduktuar ndikimin, presioni politik mbi gjyqësorin dhe prokurorinë mbetet i lartë.
Efektet e këtyre hapave thuhet se mbeten për tu parë, por thuhet se ka pak ose aspak ndjekje të rasteve të ndikimit në sistemin e drejtësisë.
Për këtë raport ka shkruar edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, tani këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Ragmi Mustafi.
Ai ka shkruar se raporti konstaton se Serbia ka bërë përparim të kufizuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit. “Është e papranueshme që ndikimi politik të vazhdojë të ekzistojë mbi gjyqësorin tonë, duke minuar drejtësinë dhe besimin e qytetarëve. Përmirësimi i pavarësisë së gjyqësorit nuk mund të jetë vetëm një objektiv në letër, por duhet të jetë një përparësi reale dhe konkrete. Lufta kundër korrupsionit mbetet një sfidë serioze, dhe mungesa e masave të efektshme kundër korrupsionit është pengesë e madhe për zhvillimin demokratik dhe ekonomik”, ka shkruar Mustafi në Facebook.
Tutje ai ka shkruar se sipas raportit gjendja e lirisë së mediave është po ashtu alarmante. “Mediat vazhdojnë të përballen me presion dhe kërcënime, dhe pluralizmi mediatik është i kufizuar”, ka shkruar Mustafi.
Sipas Mustafit raporti ka konstatuar se proceset zgjedhore ne Serbi, nuk përputhen plotësisht me standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të drejta.
“Në aspektin ekonomik, borxhi publik i lartë dhe papunësia kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe përmirësime strukturore për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe inkluziv”, ka shkruar Mustafi.
Sipas tij rekomandimet e dhëna për Serbinë në këtë raport janë të qarta.
“Komisioni Evropian ka dhënë rekomandime të qarta: forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, garantimin e lirisë së mediave dhe përmirësimin e proceseve zgjedhore. Zbatimi i këtyre reformave është thelbësor për avancimin tonë drejt integrimit evropian dhe për përmirësimin e standardeve demokratike dhe ekonomike”, ka shkruar Mustafi.