(E përditësuar 22:15) - Protesta e madhe kundër minierave të litiumit ka filluar në orën 19:00 në Beograd dhe sipas të dhënave të fundit në rrugë kanë dalë gati 40 mijë serbë.
Në orën 19:00, serbët u mblodhën në qendër të Beogradit me sloganin “Nuk do të ketë miniera” dhe pas fjalimit të organizatorëve, të ndarë në dy kolona janë drejtuar drejt Urës së Gazelës e më pas drejt stacioneve hekurudhore Prokop dhe Novi Beograd.
Një stacion hekurudhor aktualisht është i bllokuar, ndërsa siç raportojnë mediat serbe, dy trena janë ndalur.
Në rrugë dëgjohen thirrjet “Nuk do të gërmoni”, ndërsa qytetarët mbajnë flamur të madh të Serbisë.
Bllokada i është njoftuar Hekurudhave të Serbisë, ndërsa për momentin nuk dihet se ku do të lëvizë kolona.

Mijëra serbë në protestë kundër minierave të litiumit
(E përditësuar 20:50) - Sipas parashikimeve aktuale, në protestën e sotme në qendër të Beogradit u mblodhën rreth 30 mijë njerëz. Të grumbulluarit janë nisur drejt Urës së Gazelës dhe do ta bllokojnë atë. Bllokada janë paralajmëruar edhe për javën e ardhshme, raporton “Klix”.
Rrugës për në Gazelë jehonë thirrjet: “Nuk do të gërmoni”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se në bazë të informacioneve nga Rusia në këtë protestë do të ketë trazira, edhe pse organizatorët kanë paralajmëruar “tubim paqësor”.
Numër i madh i serbëve në protestën kundër minierave të litiumit
(19:12) - Një numër i madh i serbëve janë mbledhur të shtunën pasdite në Beograd për t’iu bashkuar protestës kundër minierave të litiumit.
Protestat kundër minierave të litiumit janë mbajtur në disa qytete në Serbi që disa javë, ndërsa organizimi kryesor është caktuar në mbrëmjen e së shtunës (sot), në qendër të Beogradit.
Protestuesit e kanë konsideruar 10 gushtin si afat të fundit për Qeverinë e Serbisë që të miratojë ligj për ndalim të përhershëm të eksplorimit gjeologjik dhe shfrytëzimit të litiumit të Serbisë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u ka thënë gazetarëve më 9 gusht se “shërbimet ruse të sigurisë kanë paralajmëruar për përgatitje të trazirave masive në Serbi, dhe që qëllimi kryesor është një puç dhe përmbysja e udhëheqësisë së shtetit”.
Organizatorët e protestës, prej organizatave për mbrojtje të ambientit, i kanë ftuar qytetarët në atë që e kanë konsideruar tubim paqësor.
Ata besojnë se nxjerrja e litiumit do të shkaktonte pasoja të pakthyeshme për ambientin.

Vala e re e protestave vjen pas vendimit të Qeverisë së Serbisë, të 16 korrikut, për të çuar përpara projektin e ndërtimit të minierës së litiumit në luginën Jadar, pasi ai ishte pezulluar më 2022.
Më 19 korrik, Qeveria e ka nënshkruar në Beograd një “Memoradum për lëndët e para kritike” me Bashkimin Evropian, i cili parasheh një zinxhir të plotë prodhimi – prej minierës së litiumit në Jadar, deri te prodhimi i baterive për makina elektrike.
VIDEO:
— Kreni-Promeni (@KPromeni) August 10, 2024