Rajon

Protestohet në Maqedoninë e Veriut për zjarrin vdekjeprurës në klubin e natës

Protestat ne Maqedoni te Veriut

Foto: Associated Press

Shumë qytetarë të Koçanit në Maqedoninë e Veriut kanë dalë të hënë në rrugët e qytetit, për të kërkuar drejtësi për dhjetëra të vdekur dhe shumë të lënduar si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në orët e para të së dielës në një klub nate atje. Disa mbanin pankarta ku shkruhej: "Nuk po vdesim nga aksidentet, po vdesim nga korrupsioni" dhe "gjithçka është e ligjshme këtu nëse keni lidhje".

Mijëra njerëz janë mbledhur në Maqedoninë e Veriut të hënën për të kërkuar drejtësi për 59 personat e vdekur si pasojë e zjarrit në një klub nate të dielën në qytetin Koçan dhe që t'i jepet fund korrupsionit që ata thonë se qëndron pas katastrofës më të rëndë të vendit ndër vite, raporton agjencia "Reuters". 

Zjarri ka shpërthyer gjatë një koncerti në një klub nate në Koçan rreth orës 3:00 të dielën. Mori flakë një copë tavani e dyshohet se ndezja e fishekzjarrëve nisi të gjithë këtë katastrofë. Mbi 150 njerëz kanë pësuar lëndime teksa po përpiqeshin të dilnin nga dalja e vetme e lokalit të palicensuar ndërsa flakët ishin përhapur në çati. 

Incidenti ka tronditur qytetin prej 25,000 banorësh që gjendet 80 km në lindje të kryeqytetit, Shkupit. Buldozerët dhe punëtorët me lopata kanë hapur një varg varresh në varrezat e qytetit të hënën. Njerëzit të cilët i kanë humbur të dashurit kanë krijuar radhë jashtë spitalit të hënën për të dhënë mostra të ADN-së në rast se të afërmit e tyre nuk mund të identifikoheshin menjëherë.

Zyrtarët kanë thënë se licenca e klubit të natës "Pulse" ishte marrë në mënyrë të paligjshme dhe se në lokal mungonin aparatet e zjarrit dhe daljet emergjente. Më shumë se 150 persona kanë mbetur të lënduar nga tymi, djegiet apo nga shkeljet gjatë tentimit për të ikur.

"Unë dua të burgosen të gjitha ata që ndihmuan këtë vend që të punonte”, ka thënë 16-vjeçari Jovan, i cili ka thënë se ka humbur një shok në zjarr. 

"Ne kemi nevojë për ndryshim sepse ky është një vend i korruptuar”, ka shtuar ai.

Jovan i është bashkuar mijëra të tjerëve në një protestë të qetë në sheshin qendror të Koçanit të hënën.

Njerëzit janë përqafuar dhe kanë qarë ndërsa ishin rreshtuar për të ndezur qirinj për të vdekurit dhe për të shkruar mesazhe ngushëllimi.

Disa mbanin pankarta ku shkruhej: "Nuk po vdesim nga aksidentet, po vdesim nga korrupsioni" dhe "Gjithçka është e ligjshme këtu nëse keni lidhje". 

Dhuna shpërtheu për një kohë të shkurtër gjatë protestës, kur një grup njerëzish përdorën gurë për të thyer dritaret e një lokali që tre protestues thanë se drejtohej nga i njëjti person që zotëronte klubin e natës "Pulse".

Klubi, të cilin mediat lokale e kanë përshkruar si një ish-depo qilimash, është një ndërtesë me çati të valëzuar prej hekuri. Kishte vetëm një dalje emergjente, e cila ishte e kyçur gjatë koncertit të së dielës. S’kishte asnjë sistem alarmi zjarri apo spërkatës, ka thënë prokurori shtetëror i Maqedonisë së Veriut, Ljupco Kocevski.

“Nuk kishte dy dyer daljeje, por vetëm një derë të vetme metalike të improvizuar në pjesën e pasme të ndërtesës, e cila ishte e mbyllur dhe pa dorezë nga brenda”, ka thënë Kocevski.

Tavani ishte prej materialesh të ndezshme dhe muret e gipsit nuk ishin rezistente ndaj zjarrit. 
Autoritetet kanë arrestuar rreth 20 persona në lidhje me zjarrin, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë dhe menaxherin e klubit të natës.

Kocevski ka thënë se zyra e tij po punonte për të përcaktuar përgjegjësinë penale të një numri personash për "vepra të rënda kundër sigurisë publike" dhe krime të tjera.

“Individët kanë vepruar në kundërshtim me rregulloret dhe rregullat teknike të masave mbrojtëse dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe punën e njerëzve në përmasa të mëdha”, ka thënë ai.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka thënë se licenca e klubit ishte lëshuar në mënyrë të paligjshme nga ministria e Ekonomisë dhe premtoi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

Pesëdhjetë e një persona janë trajtuar në spitalet në Bullgari, Greqi, Serbi dhe Turqi. Shumë të tjerë do të dërgohen në spitalet në Kroaci dhe Rumani, kanë njoftuar zyrtarët.

 

 

Arrestohet ish-ministri i Maqedonisë së Veriut për tragjedinë në Koçan

1 muaj më parë / 17 mar 2025 18:40
Arrestimi

Ish-ministri i Ekonomisë në Maqedoni të Veriut, Kreshnik Bekteshi, është shoqëruar për në stacionin policor për t'u intervistuar lidhur me zjarrin në Koçan, ka raportuar Alsat.

Ai është në mesin e 23 të dyshuarve për tragjedinë në klubin e natës ku humbën jetën 59 persona e shumë të tjerë u lënduan.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka deklaruar të dielën se për këtë ndodhi duhet të ketë përgjegjësi, duke shtuar se “asgjë s'është më e rëndësishme se jeta e një të riu”.

“E di dhe ndjej se nuk jemi vetëm. Lajmëruan të gjithë, jo vetëm fqinjët, por edhe vendet më të largëta. Të lënduarit më rëndë janë në Sofje, në Stamboll, në Greqi, në Serbi për të marrë kujdes të lartë mjekësor. Për këtë ndihmë do të jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Siljanovska-Davkova dhe theksoi se askush nuk duhet t’i ikë përgjegjësi dhe nuk duhet t’i shmanget ligjit dhe drejtësisë.

“Të bashkojmë forcat, të mos sakrifikojmë më kurrë për përfitimin e individëve, asgjë nuk është më e vlefshme se jeta e një të riu”, ka shtuar ajo.