Përveç zgjedhjes për herë të parë të një gruaje në krye të Maqedonisë së Veriut, ndryshime priten edhe në Qeveri. Pas rreth 7 vjetësh të qeverisjes nga Lidhja Social Demokrate, drejtimin e ekzekutivit do ta marrë partia fituese VMRO-DPMNE, nga e cila është zgjedhur edhe presidentja Gordana Silanovska-Davkova. Ndonëse renditet subjekti i dytë në nivel të vendit, koalicioni Fronti Evropian në krye me BDI-në pritet të mbetet jashtë Qeverisë
Udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga e mërkura, u është bashkuar edhe një grua.
Vjosa Osmani s’do të jetë më e vetmja presidente në rajon, pasi Maqedoninë e Veriut do ta drejtojë Gordana Silanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE, parti që e udhëhoqi koalicionin fitues “Maqedonia yte”.
Ajo mundi kundërkandidatin nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski, duke marrë mbi 65 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale.
Kësisoj, Davkova bëhet gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut, që nga pavarësia e këtij shteti në fillimvitet ‘90.
Ajo është uruar nga liderë të rajonit, mes tyre edhe nga presidentja Vjosa Osmani, e cila ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar drejt integrimeve euroatlantike.
“Urime për Gordana Silanovska-Davkova për fitoren zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe për t'u bërë presidentja e parë grua e vendit. Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore dhe ndajnë angazhim të fortë për integrimin euroatlantik. Mezi pres të punoj me presidenten e zgjedhur për të arritur këtë qëllim të përbashkët dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet Kosovë – Maqedoni e Veriut”, thuhet në urimin e Osmanit.
Presidentja e re e shtetit fqinj, urime ka pranuar edhe nga komisionari i Bashkimit Evropian për zgjerim, Oliver Varhelyi.
“Ne mezi presim të punojmë me presidenten Gordana Silanovska-Davkova dhe të përshpejtojmë reformat e nevojshme për të ecur përpara në procesin e negociatave për anëtarësim me BE-në”, ka thënë ai.
Përveç postit të presidentit, koalicioni me VMRO-DPMNE-në në krye fitoi shumicën edhe në zgjedhjet parlamentare, që po ashtu u mbajtën të mërkurën.
Sipas të dhënave preliminare, VMRO-DPMNE ka siguruar 59 deputetë në kuvendin me 120 ulëse, derisa i dyti renditet koalicioni “Fronti Evropian”, që drejtohet nga BDI-ja e Ali Ahmetit. Ky koalicion ka siguruar 19 ulëse, një më shumë se LSDM-ja që në dy mandatet e fundit ishte në pushtet. I katërti është koalicioni tjetër shqiptar “VLEN” me 13 deputetë.
Megjithëse BDI-ja ka fituar më shumë vota se koalicioni VLEN, partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti pritet të mbetet jashtë Qeverisë.
Një koalicion qeverisës është paralajmëruar se do të bëhet mes partisë fituese VMRO-DPMNE dhe koalicionit VLEN, i cili nga Kosova është përkrahur edhe prej kryeministrit Albin Kurti.
Derisa marrëveshja qeverisëse pritet të marrë më shumë kohë, presidentja e re e Maqedonisë së Veriut do të betohet para deputetëve, të dielën.
Në fjalimin e parë para opinionit, pas fitores, Silanovska-Davkova tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake.
“Nga ky moment do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve, të gjitha grupeve etnike, të gjithë anëtarëve partiakë, atyre që nuk janë në parti... sepse presidentja nuk mund ta bashkojë popullin dhe të kërkojë unitet nëse mban vija partiake”, ka thënë ajo.
Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë.
“Duhet të fillojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje. Rrugët e mia së pari çojnë në Ballkan, dhe, natyrisht, as Brukseli nuk është jashtë”, ka deklaruar ajo.
Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, vendi ka pasur gjithsej pesë presidentë.
I pari, Kiro Gligorov, ka pasur dy mandate. Për të parin është zgjedhur me votim të fshehtë në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 janar 1991. Për mandatin e dytë dhe të gjithë të mëvonshmit janë zgjedhur në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta.
Gligorov e ka fituar mandatin e dytë në vitin 1994 dhe pas tij në këtë pozitë ka ardhur Boris Trajkovski, më 1999. Ai ka qenë president deri në vdekjen e tij tragjike në një aksident avioni, në vitin 2004.
Presidenti i tretë më pas është bërë udhëheqësi i atëhershëm i Lidhjes Social-Demokrate, Branko
Cërvenkovski, i cili ka qëndruar në atë pozitë vetëm për një mandat.
Pas tij, në vitin 2009, Gjorgje Ivanov, i propozuar nga VMRO DPMNE-ja, i ka fituar zgjedhjet dhe ka mbajtur dy mandate deri në vitin 2019, kur në krye të shtetit është zgjedhur Stevo Pendarovski.