Rajon

OSBE-ja u kërkon udhëheqësve të Bosnjës ta respektojnë rendin kushtetues

Elina Valtonen

Kryetarja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Elina Valtonen, u kërkoi të martën liderëve rivalë në Bosnje që të respektojnë rendin kushtetues dhe të angazhohen në bisedime për të zgjidhur krizën politike, raporton Reuters.

Valtonen të martën ka vizituar Bosnjën dhe Hercegovinën në kohën kur vendi ballkanik po përballet me krizën më të madhe politike që nga fundi i luftës së viteve 1990, pas së cilës u krijuan dy rajone autonome, Republikën Serbe dhe Federatën Boshnjako-Kroate.

Pas një takimi me ministrin e jashtëm boshnjak, Elvedin Konakoviç në Sarajevë, Valtonen ka theksuar se është “thellësisht e shqetësuar për krizën aktuale”.

Presidenti i Republikës autonome Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, ka kundërshtuar vendimet e një të dërguari ndërkombëtar për paqen në Bosnje, që synonte të parandalonte futjen e shtetit multi-etnik ballkanik në konflikt.

Kjo ka shkaktuar një mosmarrëveshje, duke vënë Dodikun dhe aleatët e tij, Rusinë dhe Serbinë kundër SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, e cila filloi pasi Dodik u dënua me burg në shkurt dhe u ndalua nga mbajtja e detyrës për gjashtë vjet për shkak të kundërshtimit të vendimeve të të dërguarit ndërkombëtar, Christian Schmidt.