Rezoluta e propozuar për gjenocidin në Srebrenicë do të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të enjten, 23 maj.
Sipas kësaj rezolute synohet që 11 korriku të shpallet “Ditë Ndërkombëtare e Kujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.
Aty thuhet se OKB-ja “dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si fakt historik dhe u bën thirrje shteteve anëtare të ruajnë faktet, përfshirë përmes sistemeve arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, por po ashtu si shenjë të kujtesës, në mënyrë që të parandalohet mohimi dhe shtrembërimi i fakteve, dhe kryerja e gjenocidit në të ardhmen”.
Rezoluta e sponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda nuk e përmend Serbinë si fajtore, por kjo nuk e ka ndaluar fushatën lobuese të liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, kundër saj, ashtu si edhe të presidentit të Serbisë, Aleksandës Vuçiq.
Më 11 korrik 1995, serbët e Bosnjës vranë mbi 8,000 burra e djem myslimanë të paarmatosur. Për gjenocidin në Srebrenicë dhe për krimet e tjera të kryera në këtë rajon, më shumë se 50 persona janë dënuar me rreth 700 vjet burgim. Në mesin e të dënuarve janë edhe presidenti i Republikës Sërpska në kohën e luftës, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq
Serbia dhe serbët e Bosnjës kanë mohuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid edhe pse këtë e kanë thënë dy gjykata të Kombeve të Bashkuara. Vuçiq ka deklaruar ditë më parë se ata që e abstenojnë votimin për rezolutën janë miq.