Një ditë pasi drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, William Burns, qëndroi në Beograd, në kryeqytetin e Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka takuar presidentin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.
Burns të mërkurën qëndroi në Beograd. Paraprakisht vizitoi Sarajevën.
Pas tyre, Burns është duke qëndruar në Kosovë. Pasdite ka mbajtur takim në Presidencë.
“Bisedë shumë e mirë me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Takimi u dominua nga temat ekonomike, por bëmë bashkë edhe një analizë të çështjeve globale dhe rajonale”, ka shkruar Vuçiqi të enjten pasdite në Instagram. Ai ka thënë se ndër temat ka qenë edhe lufta ndaj migrimit ilegal.
“Turi ballkanik” i Burnsit nuk ishte paralajmëruar. S’ka detaje nga takimet që ai ka zhvilluar në shtetet e rajonit.
Siç tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.