Rajon

Në Beograd organizohen protesta kundër projektit të dhëndrit të Donald Trumpit

Beograd

Beograd

Foto: Associated Press

Grupet opozitare në Serbi janë duke planifikuar protesta kundër një projekti të pasurive të paluajtshme që do të financohet nga kompania e dhëndrit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, në vendin e ish-selisë së ushtrisë serbe të shkatërruar në një fushatë bombardimi të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 1999.

Qeveria e Serbisë, më herët këtë javë ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë e lidhur me Kushnerin, për dhënien me qira 99-vjeçare të tokës në qendër të Beogradit për “rivitalizimin” e ndërtesave të bombarduara, raporton AP.

Kushneri ka konfirmuar raportet se kompania e tij ka në plan të financojë projektin prej 500 milionë dollarësh. Projekti parasheh një hotel të lartë, një kompleks apartamentesh luksoze, hapësira për zyra dhe dyqane.

“Përparimi ekonomik në Serbi në dekadat e fundit ka qenë impresiv. Ky projekt do ta ngrejë më tej Beogradin në destinacionin kryesor ndërkombëtar që po bëhet”, ka deklaruar Kushneri në një deklaratë përmes së cilës konfirmoi miratimin e marrëveshjes.

Zyrtarët qeveritarë e kanë mirëpritur projektin, por grupet opozitare dhe shumë të tjerë kanë folur kundër tij.

Për shumë njerëz, vendi i godinës së komandës së ushtrisë, i bombarduar, është një simbol i fuqishëm i rezistencës së Serbisë kundër asaj që ata e quajnë "agresioni i NATO-s 25 vjet më parë....".

Forcat serbe kanë zhvilluar luftë në vitet 1998-99 në Kosovë, e cila atëherë ishte provincë e Serbisë. Rreth 13,000 njerëz, shumica e të cilëve shqiptarë, janë vdekur deri në fushatën bombarduese 78-ditore të udhëhequr nga SHBA-ja në NATO, e cila i shtyri trupat serbe të largoheshin nga Kosova.

Kosova e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, mirëpo Beogradi zyrtar nuk e pranon fqinjin e saj si një shtet të ndarë.

Udhëheqësi i grupit opozitar të Kryengritjes Ekologjike, Aleksandar Jovanoviq, njoftoi se organizata “do të përdorë të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato fizike” për të mbrojtur prishjen e ndërtesës së vjetër të Shtabit të Përgjithshëm dhe dorëzimin në një kompani amerikane.

"Në momentin që do të shfaqen buldozerët e parë, ne do t'i presim ata”, ka deklaruar Jovanoviq në një konferencë për shtyp derisa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t'u bashkohen atyre, veçanërisht pjesëtarëve të Forcave të Armatosura Serbe.

Zyrtarët qeveritarë mbrojtën marrëveshjen që u nënshkrua me kompaninë “Affinity Partners” të Kushnerit të mërkurën. 

“Ne do ta restaurojmë ndërtesën 25 vjet pasi ajo u shkatërrua nga bombardimet”, ka thënë ministri i Ndërtimit Goran Vesiq. 

“Për një çerek shekulli askujt, para kësaj qeverie, nuk i kishte shkuar ndërmend ta rindërtonte kompleksin. Kur kjo hapësirë të rivitalizohet, do të kontribuojë në zhvillimin e Beogradit dhe Serbisë”, ka shtuar ai. 

Në fillim të këtij viti, edhe ministria e Turizmit e Shqipërisë bëri të ditur se mori një aplikim për projekt investimi nga “Affinity Partners”, për ta shndërruar një ish-bazë ushtarake në ishullin e Sazanit në detin Adriatik, në një vendpushim. 

Kryeministri Edi Rama ka thënë se Shqipëria është krenare që ka tërhequr një interes të tillë.

LEXO EDHE: