Rajon

Mbyllen pikat kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë, shkak grevat e punëtorëve kufitarë grekë

Kufiri Shqipëri-Greqi

Pikat kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë të premten do të jenë të mbyllura për qarkullim të automjeteve. 

Policia në Shqipëri ka njoftuar se shkak i kësaj mbylljeje janë grevat që do të zhvillohen nga ana e punonjësve të doganës greke. 

Sipas njoftimit, kjo grevë do të zhvillohet nga ora 07:00 deri në orën 23:00.

“Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit është njoftuar nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë se më datë 28.02.2025, nga ora 07:00 deri në orën 23:00, punonjësit e doganës greke në PKK Kakavijë, PKK Qafë Bot - Sarandë dhe PKK Tre Urat - Përmet do të zhvillojnë grevë, dhe për këtë arsye do të pezullohet lëvizja e lirë e automjeteve”, thuhet në njoftim.

Policia Kufitare e Janinës ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore (ambulancat).

“Nisur nga kjo situatë, Policia Kufitare apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë, të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare të sipërpërmendura deri në një njoftim të dytë”, është thënë tutje në njoftim.