Rajon

Krim i rëndë në Serbi, dy persona arrestohen për vrasjen e një dyvjeçareje

Bor, Serbia

Dy të arrestuarit dhe vajza dyvjeçare

Pas dhjetë ditësh kanë marrë fund kërkimet për dyvjeçaren Danka Iliq në Bor të Serbisë. Të enjten, dy persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e saj.

Srdan Jankoviq (50 vjeç) ka pranuar para hetuesve se bashkë me kolegun Dejan Dragijeviq (50 vjeç) e kanë vrarë vajzën dyvjeçare, duke e goditur me veturë zyrtare mesditën e 26 marsit. Të arrestuarit ishin punëtorë të Ndërmarrjes Komunale “Vodovod”.

Ata kanë rrëfyer se pasi e kanë goditur vajzën e vogël, e kanë groposur në një deponi në Bor. Dyshohet se në momentin e incidentit, Jankoviq e Dragijeviq ishin të dehur.

Siç shkruan “N1”, vetura më pas është pastruar me acid. Por kishte mbetur një pikë e gjakut, e cila u mor për analizë dhe çoi në arrestimin e Jankoviqit dhe Dragijeviqit. Ata janë kthyer në vendin ku e kishin groposur trupin e vajzës disa herë.

Gjithçka ka ndodhur vetëm pak minuta pasi nëna e Danka Iliqit e kishte raportuar të zhdukur vajzën e saj. 

Trupi i vajzës ende po kërkohet. 

Për herë të parë, në Serbi u aktivizua sistemi emergjent “Find Me” ditën e zhdukjes së vajzës.