Udhëheqësia e Serbisë ka arritur që me sukses të përziejë përgjegjësinë kolektive me atë individuale sa u përket krimeve të luftës, ndonëse e dimë që drejtësia ndërkombëtare bazohet në idenë e përgjegjësisë individuale. Kështu thotë Denisa Kostovicova, profesoreshë e politikave globale në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
“Në fakt, nëse e lexoni tekstin e rezolutës, aty nuk përmendet përgjegjësia kolektive e asnjë grupi”, ka thënë ajo, duke iu referuar rezolutës së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që e njeh 11 Korrikun si Ditë Ndërkombëtare për Kujtim të Gjenocidit në Srebrenicë.
Sipas Kostovicovas, Serbia dhe udhëheqësia aktuale serbe e kanë ndërtuar legjitimitetin e tyre në narrativën historike që vë në pikëpyetje, minimizon dhe mohon rolin e tyre në luftërat dhe shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ’90.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë rëndësie ka miratimi i rezolutës për Srebrenicën nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, fillimisht për viktimat, më të dashurit e tyre, si dhe për të vërtetën dhe drejtësinë, pavarësisht faktit që në votim janë vërejtur dallime të thella?
Denisa Kostovicova: Mendoj që votimi është shumë i rëndësishëm. E shpall 11 Korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë. Ka rëndësi të madhe simbolike. Ka implikime praktike si në rajon, ashtu edhe në botë.
Siç e thatë, e vendos në qendër nevojën e të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave për pranim të aktit. Ajo që ata kanë përjetuar, është krimi më i rëndë në tokën evropiane pas Luftës së Dytë Botërore, kur forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Në këtë drejtim, ne mund të themi se rezoluta është e orientuar në të kaluarën. E njeh të keqen e kryer në të kaluarën. Mirëpo, mendoj se janë edhe disa elementë të rëndësishëm. Rezoluta flet edhe për gjendjen aktuale të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës. Mohimi i gjenocidit ndikon në mohim të dinjitetit të viktimave, në fakt ua minimizon vuajtjet.
Në këtë pikë rezoluta e prek të tashmen, ndonëse është e orientuar edhe në të ardhmen. Duke bërë thirrje për parandalim të gjenocidit, vihet në pah edhe përgjegjësia e një shteti dhe roli i edukimit, si dhe programeve tjera, për parandalim të mohimit të gjenocidit në të ardhmen. Prandaj, në këtë kontekst, e shoh këtë rezolutë - qartazi të fokusuar në Srebrenicë - si mbështetëse të kulturës së memorializimit dhe që u ofron njerëzve në Srebrenicë një mundësi për të jetuar jetë më të mirë. Pra, viktimat e Srebenicës do të bëhen pjesë e kujtesës globale.
Por, mendoj që është e rëndësishme që ta vendosim rezolutën e 23 majit në kontekst më të gjerë global, sepse kjo rezolutë që ka të bëjë me Srebrenicën dhe krijimin e një Dite Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit, ndjek hapat e rezolutave tjera. Shembull është rezoluta që ka inauguruar Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit për gjenocidin në Ruandë.
Kjo rezolutë është shumë e ngjashme në themel, pasi bën thirrje për njohje të viktimave. Natyrisht, ekzistojnë edhe rezoluta të tjera të Kombeve të Bashkuara, shembull ato që përkujtojnë Nakban – zhvendosjen masive me forcë të palestinezëve më 1948. Para saj ka qenë rezoluta tjetër për Ditën Ndërkombëtare për Kujtim të Holokaustit. Po e them këtë, sepse ky hap e shpërfaq një normë globale të memorializimit dhe njohjes së viktimave në skenën globale.
Ndërkohë, është arritur edhe te politizimi i kësaj rezolute. Në Serbi dhe Bosnjën fqinje, sidomos në Republikën Sërpska, është thënë kinse kjo ngjarje i veçon në një mënyrë serbët, e që në fakt kur e shohim në kontekst global, nuk është ashtu.
Asambleja Parlamentare e Kombeve të Bashkuara të enjten [dje] shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Për votuan 84 shtete, 19 kundër dhe 68 abstenuan.