Në mesditë kambanat do të bien në kishat ortodokse në Serbi pak përpara votimit të sotëm, 23 maj, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të rezolutës për shpalljen e 11 korrikut ditë përkujtimi të gjenocidit në Srebrenicë.
Patriarku serb Porfirije ka thënë se kambanat do të bien për “shpëtimin e shtetit dhe popullit serb”, raportoi Telegrafi serb.
Sipas tij, kambanat do t’u bëjnë thirrje njerëzve që të luten “në qetësi e solidaritet pavarësisht akuzave tërësisht false dhe të padrejta që u ekspozohen nga OKB-ja”.
Rezoluta e propozuar për gjenocidin në Srebrenicë do të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të enjten, 23 maj.
Me këtë rezolutë synohet që 11 korriku të shpallet “Ditë Ndërkombëtare e Kujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.
Rezoluta e sponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda nuk e përmend Serbinë si fajtore, por kjo nuk e ka ndaluar fushatën lobuese të liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, kundër saj, ashtu si edhe të presidentit të Serbisë, Aleksandës Vuçiq.