Rajon

Kearns kërkon reagim pasi Vuçiqi dekoroi ambasadorin rus që votoi kundër Rezolutës për Srebrenicën

Vuciq - ambasadori rus

Presidenti serb ka dekoruar përfaqësuesit e Rusisë për, siç ka thënë ai, “ndihmën që na dhatë gjatë diskutimit për Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë” në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të mbajtur në maj.

Aleksandër Vuçiq ua dorëzoi Urdhrin e Flamurit Serb të nivelit më të lartë përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasilij Nebeznji, si dhe Urdhrin e Flamurit Serb të shkallës së dytë zëvendëspërfaqësueseve Anna Jestignjeva dhe Maria Zbolockaja.

Notë proteste ndaj këtij veprimi ka kërkuar deputetja britanike, Alicia Kearns.

“Kjo është e jashtëzakonshme - Shpresoj se Britania dhe të tjerët do të protestojnë tek ambasadorët serbë”, ka shkruar ajo në platformën X.

Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram ka shkruar për bashkëpunimin e ngushtë mes popujve dhe shteteve të tyre – Serbisë e Rusisë.

Rezoluta e miratuar më 23 maj 2024 u hartua nga Gjermania dhe Ruanda dhe e përcakton 11 korrikun si Ditë ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.000 burra e djem myslimanë në Srebrenicë. Krahas kësaj, Rezoluta e dënon po ashtu mohimin e gjenocidit, një gjë që vazhdimisht është bërë nga zyrtarët serbë si në Bosnjë-Hercegovinë ashtu edhe në Serbi.

Kundër kësaj Rezolute kanë votuar Hungaria, Kina, Rusia, Bjellorusia, Kuba, Nikaragua dhe Siria. Vuçiq ka lajmëruar se do t’i dekorojë edhe përfaqësuesit e shteteve që votuan kundër miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e OKB-së.