Grupi i emigrantëve të cilët u dërguan nga autoritetet italiane në Shqipëri ditë më parë, këtë të shtunë u transportua drejt Italisë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Romës. Nga 49 migrantë që kishin mbërritur në Shëngjin, 6 u dërguan në Itali që ditën e parë, pasi disa prej tyre ishin të mitur dhe të tjerët me probleme shëndetësore.
Migrantët e mbetur ishin me origjinë nga Bangladeshi dhe Egjipti. Gjykata e Romës kundërshtoi mbajtjen e tyre në Gjadër, duke ngritur pikëpyetje mbi përfshirjen e këtyre dy shteteve, në listën e “vendeve të sigurta” nga ana e autoriteteve italiane. Sipas Gjykatës, duke qenë se për çështjen, ka interpretime kundërthënëse mes të drejtës evropiane dhe asaj italiane, rasti i është lënë gjykimit përfundimtar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, e cila do të duhet të shprehet më 25 shkurt.
Migrantët ishin kapur fundjavën e shkuar në ujërat ndërkombëtare. Procesi gjyqësor për vlerësimin e mbajtjes së tyre në Gjadër u krye gjatë ditës së djeshme përmes videokonferencave.
E për t’i marrë ata, mbërriti në Shëngjin një anije e Rojes bregdetare italiane. Migrantët u transportuan me autobus nga Gjadri drejt portit, prej nga u nisën pak pas mesditës.
Kjo është hera e tretë që gjykatat në Itali, kundërshtojnë qëndrimin e tyre në kampin e ngritur në Shqipëri, në bazë të marrëveshjes mes qeverive të të dy vendeve. Përfaqësues të pushtetit kanë folur për “rezistencë të një pjesë të gjyqësorit” ndaj qeverisë, ndërsa për opozitën italiane, gjithçka është “një dështim i madh”.
Marrëveshja mes dy shteteve u nënshkrua në Romë në nëntor të vitit 2023. Zbatimi i saj nisi vetëm pas një viti, ndërsa ndërkohë, pala italiane ngriti qendrën e parë në Portin e Shëngjinit, ku migrantët u nënshtrohen kontrolleve të para mjekësore dhe procedurave të identifikimit, si dhe kampin e pritjes në Gjadër.
Përveç debateve të forta në Itali, marrëveshja u pa me shqetësim dhe nga shumë organizata të të drejtave të njeriut dhe migrantëve.