Një gjykatë në Bosnjë ka bërë kërkesë për urdhërarrest ndërkombëtar për presidentin e entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, i cili akuzohet për sulm ndaj rendit kushtetues dhe i cili është larguar jashtë vendit. Tash është në duart e zyrës qendrore të INTERPOL-it për ta pranuar ose jo kërkesën për urdhërarrest ndërkombëtar.
Dodik ka shkaktuar krizën më të rëndë që nga lufta e viteve 1990, pasi u dënua me një vit burgim dhe u ndalua nga politika për gjashtë vjet për shkak të shpërfilljes së vendimeve nga një i dërguar ndërkombëtar për paqen, raporton Reuters.
Dodiku kishte iniciuar legjislacionin që ndalonte gjyqësorin dhe policinë shtetërore të vepronin në rajonin serb, por gjykata kushtetuese e Bosnjës e pezulloi përkohësisht atë.
Duke kundërshtuar një urdhërarrestim të brendshëm, ai kaloi në Serbinë fqinje në fillim të kësaj jave dhe më pas udhëtoi për në Izrael për një konferencë antisemitizmi në Jerusalem të enjten.
Gjykata shtetërore e Bosnjës ka thënë se kërkesa për urdhërarrest ndërkombëtar ishte lëshuar gjithashtu për Nenad Stevandiq, kryetar i parlamentit të Republikës Serbe, i cili kishte udhëtuar në Serbi edhe pse tani është kthyer në Bosnje. Urdhëresat janë pranë policisë ndërkombëtare Interpol, ka njoftuar gjykata përmes një deklarate.
Dodiku thotë se akuzat ndaj tij janë të pakuptimta pasi janë të motivuara politikisht.