Rajon

Escobar: Vizita e presidentit kinez në Beograd i rrit tensionet mes Serbisë e Perëndimit

Presidenti kinez dhe ai serb

Foto: Associated Press

Zëvendësndihmës sekretari i SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, Gabriel Escobar, ka thënë se vizita e presidentit kinez, Xi Jinping, në Beograd i rrit tensionet mes Serbisë dhe Perëndimit.

I pyetur për vizitën e Xi-së në Beograd në kohën kur 25 vjet më parë NATO pati bombarduar gabimisht Ambasadën kineze, Escobar ka theksuar se është “e pashëndetshme” të ngrihen tensionet mes Serbisë dhe Perëndimit dhe ka bërë thirrje te partnerët që “të jenë të kujdesshëm për agjendën e Kinës në Evropë”, raportoi Danas. 

“SHBA-ja ka thënë se bombardimi i Ambasadës kineze ishte gabim. Kemi kërkuar falje, besoj se kemi paguar kompensim për familjet. Mendoj se momenti që është zgjedhur për vizitë është i pavend, por i qëllimshëm”, ka thënë Escobar.

 Ai ka shtuar se për t’u integruar Serbisë i duhet sundimi i ligjit dhe marrëdhëniet e mira me të gjithë fqinjët e saj.