Rajon

Dritëhijet mbi vrasjen e dyvjeçares në Serbi, ende s’është gjetur trupi

Danka Iliq

Gjatë gjithë ditës dhe deri në mbrëmjen e së premtes, njerëzit kanë vendosur lule për nder të dyvjeçares Danka Iliq në sheshin kryesor të Borit, qytet i minierave të bakrit në lindje të Serbisë.

Zhdukja e saj, kërkimi që pasoi dhe në fund konfirmimi i vdekjes kanë qenë kryefjalë e lajmeve në Serbi që kur Danka u zhduk teksa po luante në shtëpinë e gjyshit 11 ditë më parë, shkruan BBC. 

Dy burra - të dy të moshës 50 vjeç - janë tani në paraburgim, të dyshuar për vrasje. Policia thotë se ata kanë pranuar se kanë goditur Dankan me veturën e tyre.

Dy të dyshuarit nuk kërkuan ndihmë. Në vend të kësaj, me sa duket duke supozuar se ajo kishte vdekur, e futën Dankan në automjet dhe u larguan.

Disa nga detajet që janë shfaqur janë shqetësuese.

Babai i Dankas e kishte parë veturën e burrave dhe i pyeti nëse e kishin parë vajzën.

Pavarësisht se ajo ishte në veturë, burrat e mohuan, sipas dëshmisë së babait të dyvjeçares.

Autoritetet kanë ngritur gjithashtu pyetjen nëse Danka mund t'i ketë mbijetuar goditjes fillestare.

Analiza e lëvizjeve tregon se automjeti i të arrestuarve - një Fiat Panda - po udhëtonte me vetëm 20 km/h në momentin e incidentit.

Policia ka kërkuar në një deponi në përpjekje për ta gjetur trupin e vajzës. Kërkimet po vazhdojnë edhe sot në vende të ndryshme. 

Por ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratislav Gasiq, ka thënë se autoritetet kanë informacione se njëri nga të dyshuarit “e ka transferuar trupin e vajzës në një vend tjetër”, duke shtuar se dy burrat fajësojnë njëri-tjetrin për vrasjen e Dankas.

Arrestimet i dhanë fund çdo shprese për ta gjetur Dankan të gjallë. Tani autoritetet thjesht janë angazhuar për ta gjetur trupin e saj.

Kërkimi për dyvjeçaren shkoi përtej kufijve të vendit.

Interpoli lëshoi alarm pasi u shfaq një video në Vjenë e një vajze që i ngjante dyvjeçares.

Disa protesta të planifikuara ditët e fundit dhe gjatë fundjavës janë anuluar në shenjë respekti për familjen e Dankas.