Rajon

Dodik reagon ndaj kërkesës së gjykatës në Bosnjë për urdhërarrest ndërkombëtar ndaj tij

Milorad Dodik

Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë-Herzegovinë, Milorad Dodik, i ka cilësuar të enjten përpjekjet e gjykatës në Sarajevë për të kërkuar urdhërarrest ndërkombëtar kundër tij si të motivuara politikisht dhe keqpërdorim të sistemit të drejtësisë, transmeton agjencia e lajmeve AP.

“Kjo nuk është diçka e pazakontë. Keqpërdorimi i sistemit të drejtësisë për kauza politike po vazhdon. Myslimanët nga Sarajeva janë duke bërë gjithçka për të instrumentalizuar prokurorinë dhe gjykatën. Ata po përpiqen ta ndërkombëtarizojnë çështjen”, ka deklaruar Dodik nga margjinat e një konference kundër antisemitizmit në Jerusalem.

Një gjykatë në Bosnjë i ka bërë kërkesë INTERPOL-it të enjten për urdhërarrest ndërkombëtar ndaj Milorad Dodikut, i cili po akuzohet për cenim të rendit kushtetues të derivuar prej marrëveshjes së Dejtonit. Dodik ishte larguar nga Bosnjë-Herzegovina të martën, për të zbarkuar në aeroportin Ben Gurion të Tel-Avivit në Izrael.

Largimi i Dodikut shkaktoi reagim të Policisë Kufitare në Bosnjë-Hercegovinë, pasi me urdhër të drejtorit Mirko Kupresakoviq u nis një hetim mbi mënyrën se si ai e ka kaluar kufirin shtetëror.

Momentalisht është në duart e zyrës qendrore të INTERPOL-it për ta pranuar ose jo kërkesën për urdhërarrest ndërkombëtar.