Presidenti i entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka përshëndetur pezullimin e ndihmës së huaj të SHBA-së, duke thënë se ajo ka shkaktuar "të keqen serioze" në vende të ndryshme anembanë botës gjatë viteve.
Dodik, i cili është një aleat i Rusisë dhe u sanksionua nga administrata e mëparshme amerikane, pjesërisht për shkak të politikave të tij separatiste, ka vlerësuar gjithashtu zgjedhjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke e përshkruar atë si "një ngjarje madhështore në historinë e re politike".
“USAID-i është një organizatë që shkaktoi të keqen e rëndë, në shumë vende të botës, në shumë kombe. Ata gjithmonë përpiqeshin ta portretizonin veten me projekte të vogla si donatorë, por në fakt operacionet e tyre ishin për të destabilizuar shtetet dhe kombet. Ata organizuan de-humanizimin e shoqërive. Madje përtej kësaj, ata siguruan logjistikën për eliminimin e disa njerëzve në mbarë botën”, ka deklaruar Dodik për Associated Press.
Që nga vitet 1990, USAID-i ka investuar disa miliardë dollarë në vende si Moldavia, Serbia, Shqipëria, Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina, të gjitha vende me aspirata për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Në këto vende, paratë e USAID-it kanë promovuar institucionet dhe reformat demokratike, kanë ndihmuar projektet e infrastrukturës dhe sigurisë së energjisë, kanë forcuar bizneset dhe ekonomitë dhe kanë mbështetur një numër të konsiderueshëm organizatash joqeveritare dhe platforma të pavarura mediatike.
Në Bosnje, USAID-i ka investuar më shumë se 400 milionë dollarë në katër vjetët e fundit dhe shumë më tepër gjatë rimëkëmbjes së vendit ballkanik pas një lufte të përgjakshme në vitet 1990.
Megjithatë, për Dodikun, USAID-i u shërbeu interesave të administratës "kriminale" dhe "korruptive" të ish-presidentit, Joe Biden.
“Trumpi do t'u japë një shans kombeve të vogla për të artikuluar interesat e tyre”, ka shtuar Dodik në një intervistë me Associated Press.
Dodik ka folur edhe për Evropën, duke thënë se ajo është e destabilizuar dhe se i vetmi shpëtim për të është Rusia.
“Evropa humbi të gjithë përparimin e saj strategjik. Evropa është e destabilizuar. Ajo nuk ka më një ekonomi konkurruese. Evropa do të ketë edhe më shumë sfida në të ardhmen. Është e qartë se i vetmi shpëtim për Evropën është Rusia. Dhe energjia e lirë nga Rusia. Besoj se do të ketë shumë ndryshime në Evropë. Dhe unë mendoj se një qasje e re dhe koncept i ri i cili udhëhiqet nga miku ynë, Orban (Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban) do të imponohet në Evropë”, ka deklaruar ai.
Dodik ka pasur mbështetjen e Moskës për përpjekjet e tij për të fituar sa më shumë pavarësi të jetë e mundur për entitetin serb, ose Republika Srpska, që përfshin gjysmën e Bosnjës.
Dy entitetet, njëri i dominuar nga serbët dhe tjetri i drejtuar nga boshnjakët, të cilët janë kryesisht myslimanë dhe kroatë, u krijuan në Marrëveshjen e Dejtonit të sponsorizuar nga SHBA-ja që i dha fund luftës së viteve 1992-95.