Të paktën 50 persona kanë vdekur në orët e vona të natës në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, kanë thënë autoritetet maqedonase për agjencinë e lajmeve MIA.

Numri i të plagosurve nuk dihet, por një pjesë e tyre janë transferuar në klinikat në Shtip dhe Shkup, raporton "Radio Evropa e Lirë". 

Autoritetet ende nuk kanë treguar se si është përhapur zjarri dhe çfarë e ka shkaktuar atë.

Sipas mediave lokale, zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga bendi maqedonas DNA. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.

Mediat lokale kanë thënë se pas shpërthimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë arritur zjarrfikësit, ambulanca, dhe zyrtarët policorë.

Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.

“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim të Krizave, Stojançe Angellov ka bërë të ditur se është në Koçan, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.

Autoritetet kanë thënë se do të deklarohen më vonë gjatë ditës.

 

 

 

 

Disa prej të lënduarve në Koçan do të trajtohen në disa shtete

1 muaj më parë / 16 mar 2025 18:54
Koçan Maqedoni e Veriut

13 prej shumë të lënduarve në zjarrin në Koçan janë dërguar jashtë vendit për trajtim mjekësor, derisa gjithsej jashtë pritet të dërgohen 47 të lënduar, ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Sipas tij, aktualisht 117 pacientë aktualisht po trajtohen në spitalet e vendit, derisa në Greqi, Bullgari, Turqi dhe në Serbi pritet të dërgohen disa prej tyre.

Nga Fondi Shëndetësor në Maqedoni të Veriut kanë njoftuar se pacientët që do të trajtohen në vend, duhet të shtrihen në Shkup. Sipas tij, këto djegie mund të sjellin komplikime në shëndetin e të lënduarve.

“Meqenëse këto janë djegie që mund të komplikohen, për në ditët në vijim këshilli i mjekëve mendoi se do ishte mirë që të gjithë pacientëve tu bëhej vend në Shkup, ndërsa më kritikët të dërgohen jashtë vendit. Tre pacient u dërguan në spitalin Papanikolaou në Selanik. Ka mbërritur edhe avioni nga Bullgaria atje ka 8 pacientë, pesë më kritikë dhe tre më pak kritikë”, është shprehur Sasho Klekovski, Drejtor i Fondit Shëndetësor, ka transmetuar “Alsat”.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka deklaruar se për këtë ndodhi duhet të ketë përgjegjësi, duke shtuar se “asgjë s'është më e rëndësishme se jeta e një të riu”.

“E di dhe ndjej se nuk jemi vetëm. Lajmëruan të gjithë, jo vetëm fqinjët, por edhe vendet më të largëta. Të lënduarit më rëndë janë në Sofje, në Stamboll, në Greqi, në Serbi për të marrë kujdes të lartë mjekësor. Për këtë ndihmë do të jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Siljanovska-Davkova dhe theksoi se askush nuk duhet t’i ikë përgjegjësi dhe nuk duhet t’i shmanget ligjit dhe drejtësisë.

“Të bashkojmë forcat, të mos sakrifikojmë më kurrë për përfitimin e individëve, asgjë nuk është më e vlefshme se jeta e një të riu”, ka shtuar ajo.                        

Maqedonia e Veriut shpall shtatë ditë zie

1 muaj më parë / 16 mar 2025 17:34
Foto: Alsat-m

Qeveria e Maqedonië së Veriut ka shpallur 7 ditë zie kombëtare në nderim të personave që humbjen jetën në diskotekën e Koçanit, derisa mbledhja e jashtëzakonshme u nis me një minutë heshtje.

“Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rënda. Në këto ditë Ministria e Jashtme do të hapë një libër zie brenda ministrisë për aksidentin e madh të ndodhur”, thuhet në njoftimin e Qeverisë, ka transmetuar mediumi "Alsat".

Në seancë u mor vendim që Inspektorati Shtetëror i Tregut të kryejë kontrolle të jashtëzakonshme në objektet hotelierike në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut dhe me konstatime të dilet në ditët e ardhshme.

Qeveria mori vendim për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare.

Sipas informacioneve zyrtare, 59 persona humbën jetën e 155 të tjerë u lënduan rëndë në zjarrin që përfshiu diskotekën.

Autoritetet maqedonase i kanë ndaluar 15 persona si të dyshuar për rastin. Trupat e viktimave janë tërhequr nga vendi ku ndodhi zjarri, derisa po bëhet identifikimi i tyre.

 

Tragjedia në Maqedoni të Veriut, Kurti: Kosova e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë

1 muaj më parë / 16 mar 2025 15:02
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se institucionet e Kosovës janë të gatshme dhe të vullnetshme të ndihmojnë në çdo mënyrë të mundshme Maqedoninë e Veriut pas tragjedisë në Koçani. 

Në zjarrin në një klub nate në Koçan të  Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën të paktën 59 persona, ndërsa mbi 150 janë lënduar. 

“U shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave, të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe liderëve shtetërorë të vendit tonë fqinj, ndërkaq të lënduarve u përcjellim urimet tona më të sinqerta për shërim të shpejtë dhe të plotë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme dhe të vullnetshme që të ndihmojnë në çdo mënyrë të mundshme.  Teksa ndajmë dhimbjen e shprehim ngushëllime, le të jetë kjo tragjedi rikujtim i vlefshëm për të gjithë ne për kujdes të shtuar dhe respektim të protokolleve të sigurisë si në organizim ashtu edhe në standardin e infrastrukturës ndërtimore në vendin tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook. 

Maqedonia e Veriut pritet të shpallë shtatë ditë zie pas tragjedisë në Koçan

1 muaj më parë / 16 mar 2025 13:18
Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut pritet të shpallë shtatë ditë zie pas vdekjes së 59 personave gjatë orëve të para të së dielës në një diskotekë në Koçan.

Qeveria e këtij vendi do të mbajë mbledhje të dielën në orën 16:00. 

Në këtë mbledhje të ekzekutivit pritet të merret vendim për shtatë ditë zie për shkak të tragjedisë në Koçan. 

Do të merret një vendim për një inspektim të menjëhershëm dhe të jashtëzakonshëm në të gjitha klubet e natës, diskotekat dhe restorantet që organizojnë festa.

Shkon në 59 numri i të vdekurve nga zjarri në diskotekë në Maqedoninë e Veriut

1 muaj më parë / 16 mar 2025 12:44
Zjarr në diskotekë në Maqedoni të Veirut

Alsat M

Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski para pak çastesh deklaroi se numri i viktimave nga tragjedia në Koçan ka shkuar në 59, derisa numri i të lënduarve është rritur në 155. 

Sipas Toshkovski në mesin e viktimave është edhe një polic, raportoi "Alsat-M".

Polici sipas Toshkovskit ka qenë në detyrë dhe në kontroll për përdorim të lëndëve narkotike.

Për katër persona është lëshuar fletarrest qendror lidhur me zjarrin në diskotekën e Koçanit, i cili shpërtheu mbrëmë, dhe në të cilin sipas informacioneve me të cilat disponojnë autoritetet deri në orën 11:30 kanë humbur jetën 59 persona, prej të cilëve 35 janë identifikuar, prej tyre 31 janë nga Koçani, katër nga Shtipi.

“Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike, aktualisht vepron në Ministrinë e Ekonomisë, nga ku po sigurohet dokumentacioni për diskotekën në fjalë, si dhe personat e lidhur me të”, tha Toshkovski.

Ministri theksoi se në këtë moment nuk mund të thotë më shumë për katër personat për të cilët është lëshuar urdhër arresti.

Si pasojë e zjarrit që shpërtheu mbrëmë në diskotekën “Puls” në Koçan ku po performonte grupi ADN, këngëtari Vlladimir Blazev-Panço ka pësuar djegie në fytyrë dhe dorë dhe ndodhet në mbështetje oksigjeni, kanë informuar familjarë të artistit.


Pesë anëtarë të grupit muzikor DNK në mesin e viktimave në Koçan

Filip Stefanovski, Gjorgi Gjorgiev, Sara Projkovska dhe Andrej Gjorgievski - katër anëtarët e grupit muzikor DNK si dhe fotografi i grupit Aleksandar Efremov humbën jetën në mbrëmjen e së shtunës në diskotekën PULS në Koçan. 

Lajmin e bënë të ditur anëtarë të grupit DNK të cilët publikuan në rrjete sociale fotografitë e anëtarëve të tyre.

Anëtarë të grupit si dhe shokët e të ndjerëve, përmes postimeve të tyre në rrjetet sociale, i dhanë lamtumirën miqve të tyre.

Në këtë ngjarje tragjike jetën humbi edhe futbollisti i klubit Shkupi, Andrej Llazarovi. Nga klubi Shkupi në Facebook shkruajnë se kjo është një humbje e madhe për klubin dhe shokët e ekipit, ndërsa shtojnë se shoku i tyre, ka humbur jetën duke luftuar për të shpëtuar njerëzit që në momentin e zjarrit tentonin të largoheshin. 

“Andrej Llazarov, në FC Shkupi ka qenë vetëm gjashtë muajt e fundit, por për këtë klub do të mbetet në kujtime gjithë jetën”, shkruajnë nga klubi i futbollit Shkupi.
 

152 të lënduar si pasojë e zjarrit në diskotekë në Maqedoni të Veriut, 18 në gjendje kritike

1 muaj më parë / 16 mar 2025 11:37
Spitali ne Maqedoni te Veriut

Alsat M

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se 152 pacientë janë duke u trajtuar në spitale nëpër vend si pasojë e zjarrit që ndodhi në diskotekën në qytetin Koçani në orët e hershme të së dielës. Nga të lënduarit 18 janë në gjendje kritike. 

“Ministria e Shëndetësisë siguron publikun se gjitha resurset janë vënë në dispozicion dhe asnjë pacient s’do të mbetet pa kujdesin e nevojshëm. Shpëtimi i jetëve dhe ofrimi i kushteve më të mira të mundshme për rikuperim për të lënduarit mbesin prioritet i yni”, thuhet në postimin e Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook. 

Si pasojë e zjarrit 51 persona  janë raportuar të vdekur deri më tash. Zjarri është thënë se ka ndodhur pas ndezjes së fishekzjarrëve në diskotekë, ku ishin afro 1500 persona. Në diskotekë po mbahej koncert i një grupi të njohur muzikor të Maqedonisë së Veriut.  

 


 

Autoritetet shëndetësore në Koçan: Në mesin e viktimave edhe 14-vjeçarë

1 muaj më parë / 16 mar 2025 11:11
Foto: Alsat-m

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka deklaruar se 118 persona janë shtruar në spitalet e Koçanit, Shtipit dhe Shkupit, ku k thënë se të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion, shkruan “Alsat-m”.

Taravari nuk ka dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve, megjithatë bëri me dije se të gjithë pacientët janë shtruar në spitale dhe po marrin trajtim.  

Ai njoftoi se detaje do të japë pasi të vizitojë spitalet në të tri vendet dhe të bisedojë me mjekët që i trajtojnë. 

Ndërsa drejtoresha e spitalit në Koçan, Kristina Serafimova, në deklarimin e parë për media njoftoi se në këtë spital trajtohen rreth 20 pacientë me lëndime më të lehta, ndërsa të lënduarit që janë në gjendje më të rëndë janë dërguar në Klinikat e Shtipit dhe Shkupit. 

Serafimova shtoi se një numër i madh i viktimave kanë vdekur në vendngjarje e disa prej tyre sapo kishin mbërritur në spital. 

Sipas drejtores së spitalit te Koçanit personat e vdekur janë nga mosha 14-24 vjeçare. 

Janë identifikuar për momentin vetëm ata që kanë pasur me vete letërnjoftime. 

Personat që trajtohen në spitale kanë pësuar djegie dhe janë helmuar nga tymi i zjarrit.

Humbja e kaq shumë jetëve është e pariparueshme, thotë kryeministri i Maqedonisë së Veriut

1 muaj më parë / 16 mar 2025 11:02
Hristijan Mickosk

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickosk ka shprehur “trishtimin e thellë” për tragjedinë si pasojë e zjarrit në një klub të natës në orët e para të së dielës.

Ai ka thënë se humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve është "e pariparueshme" dhe ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet dhe miqtë e atyre që humbën jetën.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente, shërbimeve shëndetësore, policisë, autoriteteve lokale, që të marrin masa urgjente për t'i ndihmuar të lënduarit dhe për t'i mbështetur familjet e prekura”, ka thënë ai në një deklaratë të postuar në Facebook.

“Gjatë ditës, pas shqyrtimit të rrethanave nga institucionet kompetente, do t’i drejtohem publikut me më shumë informacion për hapat e ndërmarrë”, ka shtuar ai.

Osmani: Tronditës lajmi i vdekjes së dhjetëra të rinjve në Maqedoninë e Veriut

1 muaj më parë / 16 mar 2025 10:58
Vjosa Osmani

Foto: Arkiv

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet e saj për vdekjen e dhjetëra të rinjve në Koçan të Maqedonisë së Veriut gjatë orëve të hershme të së dielës.

Osmani ka thënë se Kosova u qëndron afër familjeve të viktimave dhe gjithë popullit maqedonas në këtë kohë të vështirë.

Ajo e ka quajtur tronditës këtë lajm. 

“Lajm tronditës nga Koçani, Maqedonia e Veriut. Humbja e shumë jetëve të reja është një tragjedi që nuk mund të thuhet. Ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe gjithë popullit të Maqedonisë së Veriut në këtë kohë të vështirë. Ju jeni në mendimet dhe lutjet tona”, ka shkruar ajo në platformën “X”.

Po ashtu ngushëllime ka shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 

“Me pikëllim të thellë mësova për humbjen e 51 jetëve në Koçan të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e shpërthimit tragjik të zjarrit në një klub nate. Shpreh ngushëllimet e mia më të thellë për familjet që humbën më të dashurit e tyre, si dhe për liderët dhe Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gjithë vendin gjatë kësaj periudhe zije. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, ka shkruar Kurti në platformën “X”. 

51 të vdekur e mbi 100 të lënduar si pasojë e zjarrit në diskotekë në Maqedoninë e Veriut

1 muaj më parë / 16 mar 2025 09:32
Zjarr në diskotekë në Maqedoni të Veirut

Alsat M

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pance Toshkovski, ka bërë të ditur se 51 persona kanë vdekur dhe mbi 100  janë lënduar si pasojë e zjarrit që ndodhi në orët e hershme të së dielës në Koçan. 

Në konferencë për media ai ka thënë se ekipet mjekësore janë mobilizuar në gjithë vendin për t’u ofruar ndihmë mjekësore të lënduarve. 

Zjarri thuhet se nisi si pasojë e fishekzjarreve që u ndezën brenda diskotekës. Raportohet se në diskotekë ishin afro 1500 persona. 

“Zjarri ka shpërthyer nga mjetet piroteknike që janë përdorur në koncert. Për një periudhë të shkurtër kanë arritur edhe ekipe mjekësore edhe nga qytetet e tjera të afërta dhe helikopteri me te cilin janë bartur të plagosurit. Kanë humbur jetën 51 persona, më tepër se 100 janë lënduar dhe janë dërguar nëpër spitale në Shtip dhe Shkup”, tha Toshkovski.

Toshkovski gjithashtu njoftoi se trupat e viktimave do të dërgohen në Shkup për obduksion. Ndërkohë që u shpreh i prerë se përgjegjësit e kësaj tragjedie, përshi dhe organizatorët do të përballen me organet e drejtësisë.

“Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Publike dhe me të gjitha organet tjera, po punojmë hap pas hapi për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie”, tha Toshkovski duke shtuar se të gjithë duhet të bartim përgjegjësi morale.