Departamenti amerikan i Shtetit thotë se kundërshton çfarëdo veprimi të udhëheqësve lokale në Bosnjë e Hercegovinë që do ta minonte stabilitetin e vendit.
Deklarata vjen pasi një gjykatë në Sarajevë e ka dënuar presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik, me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, Christian Schmidt.
Zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës.
“SHBA-ja ka investuar për dekada për një Bosnjë e Hercegovinë stabile. Ne kundërshtojmë fuqishëm çdo veprim nga udhëheqësit lokalë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin. Ne e mbështesim Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetin e integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, ka shkruar në X Bruce.
Dodiku ishte futur dy herë në listë të zezë nga SHBA-ja për shkak të aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.
The United States has invested for decades in a stable Bosnia and Herzegovina. We firmly oppose any actions by local leaders that would undermine security and stability. We support Dayton and Bosnia and Herzegovina’s sovereignty and territorial integrity.
— Tammy Bruce (@statedeptspox) February 27, 2025