Rezoluta e hartuar nga Gjermania dhe nga Ruanda e përcakton 11 korrikun si Ditë ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.000 burra e djem myslimanë në Srebrenicë. Krahas kësaj, Rezoluta e dënon po ashtu mohimin e gjenocidit, një gjë që vazhdimisht është bërë nga zyrtarët serbë si në Bosnjë-Hercegovinë ashtu edhe në Serbi
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar të enjten Rezolutën, e cila e shpall 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Me 84 vota për, 19 kundër dhe 68 abstenime, Asambleja e ka kaluar dokumentin i cili, pos që e përcakton përkujtimin e përvitshëm të datës kur forcat serbe të Bosnjës vranë në vitin 1995 më shumë se 8.000 burra e djem myslimanë në Srebrenicë, e dënon edhe mohimin e këtij gjenocidi. E zyrtarë shtetërorë në Serbi dhe ata në Republikën Sërpska në vazhdimësi kanë mohuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Ata kanë pretenduar edhe se Rezoluta do ta etiketojë të gjithë popullin serb si “mbështetës” të vrasjeve masive.
Antje Leendertse, ambasadore e Gjermanisë në OKB, ka thënë se rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt.
“As kundër Serbisë, anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Rezoluta i shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, ka thënë ajo, tek i është drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Është privilegji im të prezantoj projektrezolutën, Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, në emër të sponorizuesve, Gjermanisë dhe Ruandës, si dhe grupit ndërrajonal, grupit kryesor prej 17 shtetesh anëtare. Pothuajse 30 vjet më parë të paktën 8 mijë e 372 myslimanë boshnjakë u ekzekutuan sistematikisht në qytetin e Srebrenicës. Andaj, iniciativa jonë ka të bëjë me nderimin e kujtimit të viktimave dhe mbështetjen e të mbijetuarve që vazhdojnë të jetojnë me plagët e asaj kohe fatale”.
Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë nuk i përmend as Serbinë e as Republikën Sërpska. Ajo, mes tjerash, bën thirrje për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.
E presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë gjatë fjalimit të tij në Asamble se Rezoluta e përbën një dokument “shumë të politizuar” që “nuk do t'i kontribuojë pajtimit as në Bosnjë-Hercegovinë dhe as në rajon”.
“Nuk kemi dëgjuar nga autori se pse kjo rezolutë po vjen tani?”, ka thënë ai, tek ka shtuar se “është e vështirë të flasësh kundër Gjermanisë, që është shteti më i fortë në Evropë”.
Vuçiqi ka përmendur edhe bombardimet e NATO-s më 1999, duke i akuzuar hartuesit e Rezolutës për përzgjedhje selektive të gjërave nga e kaluara, ndërsa ka theksuar se kjo rezolutë do të hapte Kutinë e Pandorës dhe se shumë rezoluta të tjera tani do të kërkohen.
Si votuan vendet e OKB-së?
Përveç Serbisë që ka votuar kundër, nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor - Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Kroacia kanë votuar pro Rezolutës. Nga mesi i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), kundër ka votuar Hungaria, përderisa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja kanë abstenuar.
Kundër kanë votuar, mes tjerash, Kina, Rusia, Bjellorusia, Kuba, Nikaragua dhe Siria.
Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, ka thënë se e enjtja e përbën një kapitulli të trishtuar të Asamblesë së Përgjithshme, pasi qëllimi është demonizimi i një kombi të ish-Jugosllavisë dhe minimi i Marrëveshjes së Daytonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnjë.
Pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën, Nebenzya ka thënë se ajo nuk është miratuar me numrin e votave që sponsorët kanë shpresuar, ngase më shumë vende kanë qenë kundër ose kanë abstenuar sesa që kanë votuar pro.
“Rusia e sheh rezolutën si kërcënim për paqen në rajon dhe se është veçanërisht cinike që Gjermania e propozoi rezolutën. Gjermania nuk ka autoritet moral për të përmendur gjenocidin, ajo mund të përmend vetëm krimet e veta të tmerrshme”, ka thënë Nebenzya, teksa ka vlerësuar se miratimi i rezolutës është si “fitorja e Pirros” me qëllim përçarjen e anëtarëve të OKB-së.
Krahas përcaktimit të 11 korrikut si datë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë dhe dënimit të mohimit të tij, dokumenti i miratuar të enjten e thekson njashtu rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit të Srebrenicës dhe varrimit me dinjitet, si dhe bën thirrje për ndjekje të vazhdueshme të autorëve të gjenocidit të Srebrenicës.
Rezoluta i nxit të gjitha shtetet që t’u përmbahen plotësisht detyrimeve të tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, siç është e zbatueshme dhe të drejtën zakonore ndërkombëtare për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke pasur parasysh vendimet përkatëse të GJND-së. Nga sekretari i përgjithshëm kërkon që të krijojë një program informimi të titulluar “Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar aktivitetet e tij me përgatitjet për 30-vjetorin më 2025, si dhe që të sjellë rezolutën aktuale në vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të OKB-së dhe organizatave të shoqërisë civile për respektimin e duhur.
Pas votimit të dokumentit Ambasada e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Sarajevë ka vlerësuar, nëpërmjet një postimi në platformën X, se “Rezoluta nuk shënjestron asnjë shtet anëtar” dhe “nuk e ngarkon me përgjegjësi kolektive asnjë grup njerëzish”.
“Siç e bën të qartë Rezoluta, ne të gjithë e kemi detyrim t'i pranojmë faktet, ta mësojmë të vërtetën, t'i nderojmë viktimat, t'i mbështesim përpjekjet e vazhdueshme për t'i gjetur dhe identifikuar viktimat dhe për t'i ndjekur penalisht autorët. Këta hapa janë thelbësorë për pajtimin”, është thënë në postimin e Ambasadës amerikane.
Kush e sponsorizoi Rezolutën?
Gjermania dhe Ruanda kanë qenë “sponsorizueset” kryesore të rezolutës për Srebrenicën, përkatësisht shtetet që bashkërisht e kanë iniciuar dhe e kanë hartuar tekstin e saj.
Pas tyre, edhe 32 shtete anëtare të OKB-së janë bërë “bashkësponsorizuese”, apo vende që kanë marrë përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të kësaj organizate.
Serbia ka lobuar në mënyrë aktive kundër miratimit të Rezolutës, ndërsa pak orë para se të fillonte debati i së enjtes në Asamblenë e Përgjithshme, zyrtarë të Republika Sërpskas njoftuan se kanë ofruar një marrëveshje për “ndarjen paqësore” të Bosnjë-Hercegovinës.
“Ne e ofrojmë atë nëse na konsideroni komb gjenocidal - e nuk jemi. Atëherë, nuk kemi përse të jetojmë së bashku”, tha kryeministri i Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq, teksa nuk ka ofruar hollësi për hapat që do të ndërmerren.
A pati Serbia rol në gjenocid?
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e ka karakterizuar krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007. Ajo pati konstatuar se Serbia nuk është përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, porse ka pretenduar se ajo nuk ka bërë gjë për ta parandaluar atë.
Për gjenocidin e kryer, deri më tash, janë dënuar më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burgim.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, si dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mladiq.
Vrasjet në Srebrenicë kanë qenë kulmi i përgjakshëm i luftës në Bosnjë-Hercegovinë gjatë viteve 1992-1995, e cila ka pasuar me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.
Si Serbia ashtu edhe serbët e Bosnjës kanë mohuar se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë, edhe pse kjo është vërtetuar nga dy gjykata të OKB-së. Srebrenica e përbën gjenocidin e parë në Evropë që nga Holokausti nazist në Luftën e Dytë Botërore, në të cilin janë vrarë rreth 6 milionë hebrenj dhe pjesëtarë të pakicave tjera.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar në vitin 2003 edhe një tjetër rezolutë të ngjashme, e cila e ka shpallur 7 prillin si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit mbi Gjenocidin në Ruandë.
Në këtë vend të Afrikës Qendrore gjenocidi ka ndodhur në vitin 1994, gjatë luftës civile. Për vetëm 100 ditë, ekstremistët hutu patën vrarë rreth 800 mijë njerëz, kryesisht anëtarë të pakicës tutsi dhe kundërshtarë politikë.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht detyruese. Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ato më së shpeshti “u bëjnë thirrje” shteteve anëtare që të veprojnë.
Serbët e paraqesin si fitore të tyre votimin e rezolutës për Srebrenicën në OKB
Edhe pse Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun ditë ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, në Serbi kjo është paraqitur si fitore e tyre.
84 shtete votuan për, 19 ishin kundër e 68 abstenuan.
Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një votim i tillë s’do të konsiderohej i suksesshëm në asnjë parlament.
“Rezultati ishte ky. 84 shtete votuan për rezolutën. Në asnjë parlament kombëtar kjo s’do të kishte sukses. Është i vetmi vend në botë që një dokument i tillë kalon”, ka thënë ai pas votimit.
Edhe presidenti i Republika Sërspkas në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, e ka cilësuar “të dështuar” rezolutën.
“Afro 100 shtete nuk votuan, ose ishin kundër ose abstenuan. Kjo është rezolutë e dështuar dhe do të thotë që OKB-ja nuk e ka mbështetur”, ka shkruar ai në Twitter.
Ngjashëm si Vuçiqi e Dodiku kanë vepruar edhe mediume të shumta, që njihen për mbështetje të pushtetit në Serbi. Shumë prej tyre e kanë cilësuar votimin si të dështuar.
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së janë 193 shtete anëtare.
Rusia për miratimin e rezolutës së Srebrenicës: Qëllimi është të demonizohet një komb
Përfaqësuesi i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, ka thënë se sot janë dëshmitarë të një kapitulli të trishtuar të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), sepse qëllimi ishte demonizimi i një kombi të ish-Jugosllavisë dhe minimi i Marrëveshjes së Daytonit.
Pas miratimit të rezolutës për Srebrenicën, Nebenzya ka thënë se ajo nuk u miratua me numrin e votave që sponsorët kishin shpresuar, sepse më shumë vende ishin kundër ose abstenuan sesa pro.
Sipas përfaqësuesit rus, është krejtësisht e papërshtatshme të bëhet një paralele në mes të projekt-rezolutës për gjenocidin në Ruanda dhe projekt-rezolutës për Srebrenicën, “sepse drafti i parë kishte pëlqimin e Bashkimit Afrikan, para shqyrtimit në OKB”.
Ai deklaroi se në rastin e rezolutës për Srebrenicën, “grupi i miqve” e paraqiti draftin si produkt përfundimtar, si çështje “merre ose lëre, pa diskutim me popujt përbërës të Bosnjë-Hercegovinës”.
“Rusia e sheh rezolutën si kërcënim për paqen në rajon dhe se është veçanërisht cinike që Gjermania e propozoi rezolutën. Gjermania nuk ka autoritet moral për të përmendur gjenocidin, ajo mund të përmend vetëm krimet e veta të tmerrshme”, ka thënë Nebenzya.
Ai vlerësoi se miratimi i rezolutës ishte si “fitorja e Pirros” me qëllim përçarjen e anëtarëve të OKB-së.
Kina e Kuba kundërshtojnë rezolutën, Azerbajxhani s’do të votojë
Pas Vuçiqit, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka folur përfaqësuesi i Kinës që ka thënë se rezoluta do të ngritë shumë çështje në rajon. Ai ka thënë se kjo s’do të kontribuojë në harmoninë dhe paqen në Ballkan e Evropë. Kina do të votojë kundër rezolutës.
Përfaqësuesi i Azerbajxhanit ka thënë nuk do të votojë për propozimin.
Abstenim ka paralajmëruar Namibia.
Edhe Nikaragua ka njoftuar se do të votojë kundër teksa ka përmendur bombardimet “e padrejta” të NATO-s të para 30 vjetëve.
Egjipti ka thënë se do të votojë pro rezolutës, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe do të abstenojnë.
Vuçiqi bën thirrje kundër rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë thirrje për votë kundër rezolutës. Ai ka thënë se kjo është rezolutë e politizuar. “Nuk kemi dëgjuar nga autori se pse kjo rezolutë po vjen tani?”, ka thënë ai.
Vuçiqi ka thënë se ka vendosur lule para boshnjakëve të vrarë.
“Është e vështirë të flasësh kundër Gjermanisë, që është shteti më i fortë në Evropë”, ka thënë ai ndër tjerash.
Vuçiqi ka përmendur edhe bombardimet e NATO-s më 1999 duke akuzuar shkruesit e rezolutës për përzgjedhje selektive të gjërave nga e kaluara.
Ai ka thënë se kjo rezolutë do të hapte Kutinë e Pandorës e se shumë rezoluta të tjera tani do të kërkohen.
Gjermania prezanton rezolutën për Srebrenicën
Përfaqësuesja e Gjermanisë, Antje Leendertse, ka prezantuar rezolutën për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Leendertse ka thënë se rezoluta është modeluar sipas rezolutës për gjenocidin në Runada.
“Pothuajse 30 vjet më parë, 8,372 myslimanë boshnjakë u ekzekutuan sistematikisht në qytetin e Srebrenicës. Vrasja filloi më 11 korrik dhe zgjati disa ditë”, ka thënë Leendertse.
Sipas Leendertse, rezoluta nuk është kundër Serbisë dhe se të gjithë duhet ta gjykojnë tekstin sipas asaj që thotë. Ajo ka theksuar mbështetjen që i kanë dhënë rezolutës vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtare të OKB-së.
Në fund, përfaqësuesja gjermane ftoi të gjithë anëtarët të votojnë për rezolutën.
Vuçiqi përfaqëson delegacionin e Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përfaqëson delegacionin serb në diskutimin e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për votimin e rezolutës për Srebrenicën.
Bashkë me Vuçiqin është edhe ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq.