Rajon

Afrim Gashi zgjidhet kryekuvendar i Maqedonisë së Veriut

Afrim Gashi - kryekuvendar i Maqedonise se Veriut

Afrim Gashi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. 

Me 76 vota pro, 6 kundër dhe asnjë abstenim, Gashi nga koalicioni VLEN është zgjedhur kryekuvendar.

Gashi përmes një postimi në Facebook ka falënderuar të gjithë për mbështetjen.
“Vazhdojmë t'i përmbushim detyrimet tona ndaj qytetarëve”, ka shkruar ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjuifca e ka uruar Gashin.

“Do të jetë shumë kënaqësi të punojmë së bashku, për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve tona, përfshirë atë të institucioneve tona parlamentare. Mezi pres t’ia nisim punës për të çuar përpara sa më shumë interesat tona të përbashkëta, për të kontribuuar bashkërisht drejt stabilitetit të qëndrueshëm rajonal dhe synimeve euroatlantike. Pres që marrëdhëniet mes institucioneve tona të konsolidohen edhe më tutje”, ka shkruar Konjufca. “Uroj që ligjet, praktikat dhe kultura demokratike të na sjellë edhe më afër si vizion për një të ardhme sa më premtuese për të dyja vendet tona”, tha Konjufca.

Urim për Gashin ka pasur edhe presidentja Vjosa Osmani.

“Urime Kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë luajtur rol kyç në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut ndërkaq sot janë kontribuues kyç për perspektivën evropiane të saj.Shtetet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore, të bazuara në respekt të ndërsjellë, miqësi e bashkëpunim. I uroj Kryetarit Gashi shumë suksese në këtë pozitë të rëndësishme!”, ka shkruar ajo në “X”.