Rajon

18 të arrestuar për tragjedinë në Koçan

Zjarr

Foto: MIA

Për rastin e zjarrit në diskotekën në Koçan, deri më tash janë arrestuar 18 persona, ndërsa 16 persona janë ndaluar, ka njoftuar ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, transmeton “Alsat-M”. 

Si pasojë e zjarrit vdiqën 59 persona e u lënduan mbi 150 sosh.  

Toshkovski ka thënë se për rastin janë intervistuar 71 persona, 42 në Shkup e 29 në Koçan. 14 personave u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve. 

Ndalimi u është caktuar për 11 persona për dyshimin e bazuar për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, ndërsa për tre persona është caktuar masa e ndalimit për “operim jo të rregullt”.

Toshkovski, në një konferencë për media në MPB, informoi sot se i arrestuari i fundit akuzohet për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” në lidhje me shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, si dhe është nënshkrues i njërit prej dokumenteve të nevojshme për vënien në funksion të klubit kabare.
“Ka baza që shkojnë në atë se dokumentet thelbësore janë përpiluar në mënyrë të kundërligjshme, paushall, pa konstatuar gjendjen faktike, të cilat kanë qenë parakusht në procedurën e mëtutjeshme për vënien në funksion të kabaresë në fjalë”, tha Toshkovski.

E kryeprokurori Lupço Kocevski, tha se të dyshuarit për rastin e zjarrit në rast se shpallen fajtorë mund të dënohen deri me 20 vjet burgim.

“Në këtë moment fillestar, përgjegjësia e të gjithë të përfshirëve në ngjarje dhe atyre që plotësisht do të konstatohet do të vlerësohet nëpërmjet prizmit të veprës penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” sipas nenit 292 nga Kodi Penal, për çka parashihet dënim me burg prej së paku 3 vite, pa kufizim të lartë të dënimit që do të thotë se dënimi mund të lëvizë deri më 20 vite. Përveç kësaj, po shqyrtohen edhe veprime të marrjes dhe dhënies ryshfet, prokurim të paligjshëm dhe përdorim të mjeteve piroteknike, por edhe vepra tjera penale”, tha Kocevski.

Kocevskin, e citoi sot edhe kryeministri Hristijan Mickoski, duke nënvizuar se do të kërkohet për të dyshuarit 20 vjet burgim.

“Ata janë individë që mendojnë se janë mbi sistemin. Ky është problemi dhe ata sot janë në paraburgim. Dhe për këtë do të japin llogari. Dhe nuk ka kufi të lartësisë së dënimit, unë e dëgjova prokurorin se do të kërkojnë dënim më të lartë, dënim i mundshëm 20 vite”, tha Mickoski.

Megjithatë, mes të akuzuarve ka edhe përfaqësues institucionesh apo persona zyrtarë, të cilët duhet të japin llogari për shpërdorimin e detyrës, e që sipas ndryshimeve të kodit penal në vitin 2023, parashihen dënime më të lehta. Kocevski, tha se është spekulim dhe manipulim të deklarohet që ndryshimet e kodit penal do të kenë efekte në konstatimin e përgjegjësisë për të dyshuarit në këtë rast.

E të martën Inspektorati Shtetëror i Tregut në Maqedoni të Veriut ka nisur një aksion gjithëpërfshirës ku shënjestër janë objektet gastronomike, klubet e natës, diskotekat e kabaretë. 

Ministria e Ekonomisë në Maqedoni të Veriut gjatë ditës përditësoi regjistrin e licencave të dhëna dhe sipas saj, nga 215 lokale për kabare, klube nate, disko klube dhe klube ne hapësirë të hapur, licenca të vlefshme kanë vetëm 22 lokale.
 

Identifikohen 59 viktimat e tragjedisë në Koçan

1 muaj më parë / 18 mar 2025 18:37
Zjarr në diskotekë në Maqedoni të Veirut

Alsat M

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, ka thënë se janë identifikuar të 59 viktimat e zjarrit në klubin e natës në Koçan, transmeton “Alsat-M”.

Në zjarrin e orëve të hershme të së dielës u lënduan mbi 150 persona. 
Toshkovski në prononcim për media ka thënë se janë shkarkuar nga detyra shtatë zyrtarë të policisë në Koçan dhe Shtip. 

Ai tha se kjo është bërë me qëllim për t’u siguruar një hetim i pacenueshëm.