A e keni vënë re ndonjëherë sa shumë punë bëjnë dhëmbët tanë çdo ditë? Ata përtypin mollë të freskëta, na ndihmojnë të shqiptojmë fjalët qartë dhe na dhurojnë buzëqeshje të ndritshme! Por, si çdo gjë e çmuar, edhe ata kanë nevojë për përkujdesje.
Sot është një ditë e veçantë! Ne festojmë Ditën Botërore të Shëndetit Oral, dhe për ta bërë këtë në mënyrën më të bukur, patëm një aventurë të veçantë me miqtë tanë të vegjël. Së bashku, zbuluam sekretet e një buzëqeshjeje të shëndetshme dhe mësuam si të kujdesemi për dhëmbët tanë me ndihmën e Zanave të Dhëmbit!
Por, pse janë kaq të rëndësishëm dhëmbët tanë?
Dhëmbët janë si ushtarë të vegjël që mbrojnë shëndetin tonë. Ata nuk na ndihmojnë vetëm të përtypim ushqimin, por gjithashtu ndikojnë në mënyrën se si dukemi dhe si flasim. Fillimisht, kemi dhëmbët e qumështit, që hapin rrugën për dhëmbët e përhershëm të cilët do të na shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Prandaj, është detyra jonë t’i mbrojmë!
A e dini se disa ushqime janë aleatët më të mirë të dhëmbëve tanë? Produktet e qumështit, si qumështi, djathi dhe kosi, janë të pasura me kalcium dhe ndihmojnë në forcimin e dhëmbëve. Frutat dhe perimet krokante, si mollët dhe karrotat, pastrojnë dhëmbët në mënyrë natyrale dhe stimulojnë prodhimin e pështymës, e cila ndihmon në mbrojtjen e smaltit. Uji është gjithashtu një nga miqtë më të mirë të dhëmbëve tanë, sepse shpëlan gojën dhe ndihmon në largimin e mbetjeve ushqimore.
Por jo të gjitha ushqimet janë mike me dhëmbët. Ushqimet dhe pijet me shumë sheqer krijojnë një shtresë të quajtur pllakë bakteriale, e cila mund të dëmtojë smaltin e dhëmbëve dhe të shkaktojë kavitete. Për këtë arsye, është e rëndësishme të shmangim sheqerin e tepërt dhe të kujdesemi rregullisht për higjienën tonë orale.
Në aventurën tonë të sotme, ne jo vetëm që mësuam si të lajmë dhëmbët, por edhe e provuam vetë! Fillimisht, me ndihmën e modeleve të dhëmbëve, ushtruam lëvizjet e duhura. Pastaj, secili prej nesh mori furçën e vet dhe u nisëm të praktikojmë në dhëmbët tanë të vërtetë!
Pastrimi i dhëmbëve duhet bërë dy herë në ditë, në mëngjes dhe para gjumit, për dy minuta. Pasta e dhëmbëve nuk duhet të jetë e tepërt, mjafton një sasi sa një kokërr bizeleje. Lëvizjet duhet të jenë të buta dhe rrethore, duke pastruar me kujdes sipërfaqen e jashtme, të brendshme dhe atë përtypëse të dhëmbëve. Është po aq e rëndësishme të pastrohet edhe gjuha, pasi aty mund të grumbullohen baktere që shkaktojnë erë të keqe në gojë.
Por ka një vend ku furça nuk arrin dot, hapësirat mes dhëmbëve! Aty fshihen copëza të vogla ushqimi, të cilat nëse nuk pastrohen, mund të shkaktojnë probleme. Për këtë arsye, përdorimi i perit dentar është shumë i rëndësishëm. Ai ndihmon në largimin e mbetjeve të ushqimit dhe parandalon krijimin e pllakës bakteriale, duke mbrojtur mishrat dhe dhëmbët nga dëmtimet.
Dhëmbët tanë kanë edhe një mik tjetër shumë të rëndësishëm, dentistin! Edhe pse mund të kemi një rutinë të rregullt, një kontroll te dentisti çdo gjashtë muaj ndihmon që gjithçka të jetë në rregull dhe të parandalojmë çdo problem përpara se të bëhet serioz.
Në fund të ditës, ne bëmë një premtim të rëndësishëm: do të kujdesemi për dhëmbët tanë çdo ditë, do t’i pastrojmë me furçë dhe pe dentar dhe do të vizitojmë dentistin për kontrolle të rregullta.
Një buzëqeshje e shëndetshme është pasqyra e një trupi të shëndetshëm dhe ne duam të buzëqeshim gjithmonë me gëzim dhe siguri!