Përshëndetje miq të vegjël! Sot do të udhëtojmë bashkë në një botë shumë të rëndësishme për të gjithë ne, botën e rregullave të komunikacionit!
A e keni menduar ndonjëherë se çfarë do të ndodhte nëse makinat, biçikletat dhe këmbësorët do të lëviznin pa rregulla? Do të kishte shumë rrëmujë dhe askush nuk do të ishte i sigurt. Por, fatmirësisht, ne kemi shenjat e komunikacionit dhe rregullat rrugore, të cilat na ndihmojnë të udhëtojmë të sigurt, si në makinë ashtu edhe në këmbë.
Për shembull, kur jemi në rrugë si këmbësorë, duhet të kalojmë vetëm në vendkalimet e shënuara dhe të shikojmë nga të dyja anët para se të kalojmë. Nëse ka semafor, duhet të presim që drita të bëhet e gjelbër. Ndërsa për shoferët, ata duhet të respektojnë kufirin e shpejtësisë, të ndalojnë kur drita është e kuqe dhe t’u japin përparësi këmbësorëve në vijat e bardha.
Por si mund t’i mësojmë më mirë këto rregulla? Duke luajtur dhe krijuar vetë një qytet të vogël!
Së bashku, morëm stiropor dhe karton për të ndërtuar ndërtesa të ndryshme - shtëpi, shkolla, spitale dhe dyqane, sikur të ishim arkitektë të vërtetë! Pastaj, me qese plastike të zeza dhe letër të bardhë krijuam rrugët dhe vendkalimet për këmbësorët, ku njerëzit mund të kalojnë në mënyrë të sigurt.
Por një qytet nuk mund të funksionojë pa shenjat e komunikacionit, apo jo? Kështu që ne përdorëm kartonin për të krijuar shenjën STOP, shenjën e kalimit të rrugës për këmbësorë, si dhe semaforët me dritat e tyre të kuqe, të verdhë dhe të gjelbër.
Pas ndërtimit të qytetit tonë, erdhi koha për të luajtur role! Disa fëmijë u veshën si policë dhe u kujdesën që të gjithë të respektonin rregullat. Ata përdorën makinat e tyre të policisë dhe ndihmuan këmbësorët të kalonin në mënyrë të sigurt.
Por prisni pak… duket se dikush e ka tejkaluar shpejtësinë! Policia nuk humbi kohë dhe menjëherë ndaloi "shoferin e shpejtë". Pas një diskutimi serioz, ata i shkruan një gjobë dhe papritur nisën të kërcenin nga gëzimi! Me sa duket, të qenit polic nuk qenka vetëm punë serioze, por edhe punë me ritëm! Ndoshta herën tjetër, para se të merrni një gjobë, duhet të kontrolloni... a ka muzikë në sfond?
E dini çfarë tjetër kishim? Një makinë zjarrfikëse. Nëse dikush kishte nevojë për ndihmë, zjarrfikësit ishin gjithmonë të gatshëm të ndihmonin. Kështu, të gjithë bashkë ndërtuam një qytet të sigurt dhe mësuam se sa e rëndësishme është të respektojmë rregullat e komunikacionit.
Dhe tani, miq të dashur, dua t’jua kujtoj një gjë shumë të rëndësishme: Kur ecim në rrugë, duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm! Respektoni shenjat, shikoni nga të dyja anët para se të kaloni rrugën dhe gjithmonë dëgjoni këshillat e prindërve dhe mësuesve. Sepse vetëm kështu, të gjithë mund të lëvizim të sigurt dhe të lumtur në rrugë.