PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Gëzim dhe mirënjohje për 7 dhe 8 Mars!

Gëzim dhe mirënjohje për 7 dhe 8 Mars!

Në botën plot ngjyra të Programit Fluturues të Fëmijëve, ku çdo moment është një aventurë e re, sot do të zbulojmë një histori të veçantë- një histori dashurie dhe mirënjohjeje për dy prej figurave më të rëndësishme në jetën tonë: mësuesit dhe gratë e mrekullueshme! 

Që nga agimi i dijes, mësuesit kanë qenë drita që na udhëheqin, ndërsa gratë; nënat, gjyshet, motrat kanë qenë shtylla e forcës dhe dashurisë. Sot, ne festojmë 7 dhe 8 Marsin, dy ditë që na kujtojnë sa me fat jemi që i kemi ata në jetën tonë! 

7 Marsi - Dita e Mësuesit 

Nëse mendoni për një super hero, si do të ishte ai? Mbase ka një pelerinë të gjatë, ndoshta fluturon mbi qytete ose shpëton botën me fuqinë e tij të jashtëzakonshme... Por e dini çfarë? Ne kemi super heronjtë tanë në klasë- mësuesit! 

Ata nuk kanë nevojë për pelerinë, sepse forca e tyre është dija. Me shumë durim e përkushtim, ata na mësojnë jo vetëm si të lexojmë dhe të shkruajmë, por edhe si të ëndërrojmë, të besojmë në veten tonë dhe të bëhemi njerëz më të mirë. 

Por, si lindi kjo ditë e veçantë? Historia na çon shumë vite më parë, në vitin 1887, kur në Korçë u hap shkolla e parë shqipe. Në atë kohë, ishte shumë e vështirë të mësoje në gjuhën tonë, por njerëzit e guximshëm nuk u dorëzuan. Ata luftuan për të drejtën për dije, dhe falë tyre sot ne mund të mësojmë e të rritemi të lirë. 

Kështu, çdo 7 Mars, ne i falënderojmë mësuesit tanë për gjithë dashurinë dhe mundin që japin për ne. Sot, në klasën tonë, fëmijët kanë përgatitur kartolina plot fjalë të bukura për mësuesen e tyre. E shihni si shkëlqejnë sytë e saj? Sepse mirënjohja është dhurata më e bukur që mund të japim! 

8 Marsi - Dita Ndërkombëtare e Gruas 

Por, festa nuk mbaron këtu!  Më 8 Mars e gjithë bota feston Ditën Ndërkombëtare të Gruas, një ditë e dedikuar nënave, gjysheve, motrave, dhe të gjitha vajzave që ëndërrojnë të bëjnë ndryshime të mëdha. 

Dikur, gratë nuk kishin të drejta të barabarta me burrat. Ato nuk mund të shkonin në shkollë, të punonin, apo të vendosnin për jetën e tyre. Por, gratë e forta nuk u dorëzuan! Me guxim dhe vendosmëri, ato luftuan për të drejtat e tyre, dhe sot, ato mund të bëhen mjeke, shkencëtare, pilote, artiste, presidente- çfarëdo që ëndërrojnë!

Dhe mes gjithë grave të mahnitshme në botë, kush është më e veçanta për ne? Nëna jonë! 

Ajo është forca që na mban kur biem, ngrohtësia që na mbështjell në ditët e ftohta, drita që na udhëheq përmes çdo sfide. Ajo është super heroina e vërtetë! 

Sot, fëmijët do të thonë disa fjalë për nënat e tyre: 

Sa bukur! Dhe për t’ua shprehur këtë dashuri, fëmijët po krijojnë dhurata punëdore dhe kartolina të personalizuara për nënat e tyre. Çfarë surprize e bukur do të jetë për to! 

Një botë më e mirë, falë tyre! 

Teksa kjo ditë e veçantë mbyllet, ne ndjejmë diçka shumë të bukur brenda nesh- mirënjohje, dashuri dhe shpresë. Mësuesit dhe gratë janë dy shtyllat që mbajnë botën tonë dhe e bëjnë më të mirë, më të ndritshme dhe më të drejtë. 

Le të mos harrojmë asnjëherë t’i falënderojmë, respektojmë dhe t’i duam me gjithë zemër! 

Gëzuar 7 dhe 8 Marsin! Shihemi në episodin tjetër të Programit Fluturues të Fëmijëve!