Sot ju ftojmë në një udhëtim magjik, në zemër të natyrës...
Në një vend ku toka dhe uji përqafohen, ku qielli pasqyrohet në sipërfaqet e qeta, dhe ku jeta pulson në çdo cep. Po flasim për ligatinat – këto oaze të gjalla që janë shtëpi për qindra lloje shtazësh dhe bimësh.
Çfarë janë ligatinat?
Ligatinat janë toka të lagështa që shpesh ndodhen pranë lumenjve, liqeneve apo burimeve natyrore.
Ato janë tejet të rëndësishme për mjedisin: filtrojnë ujin, ruajnë ekuilibrin e ekosistemeve dhe ofrojnë strehë për shumë zogj shtegtarë.
Në Ligatinën e Hencit – një nga më të bukurat në Kosovë – nisi aventura jonë këtë pranverë. Së bashku me fotografin e natyrës, Arian Mavriqi, dhe me fëmijët kureshtarë të SOS Kopshtit, zbuluam një botë që merr frymë me krahët e zogjve.
Pamë rosa që notonin qetë, shqiponja që fluturonin lart në qiell, çafka të purpurta që fshiheshin mes kallamishteve dhe bretkosa që kërceu plot gëzim pranë bregut.
Fëmijët vëzhgonin me sy të mëdhenj dhe zemra të hapura, duke mësuar për çdo krijesë që takonin. Vendosën edhe ushqim për zogjtë – një gjest i vogël që tregonte dashurinë e tyre për natyrën.
Kjo vizitë ishte pjesë e projektit “Ku ikin shpezët shtegtarë”, i cili nisi në vjeshtën e kaluar dhe tani po vazhdon me fazën “Ardhja e shpezëve shtegtarë në Kosovë”. Kësaj here përjetuam jo vetëm rikthimin e zogjve, por edhe rilindjen e ligatinës me ardhjen e pranverës.
Fëmijët kishin plot pyetje për Arianin:
“Si i gjejnë zogjtë ushqimin?”, “Kush i ngroh vezët?”, “A duhet t’i ushqejmë ne?”
E Ariani, me durim dhe dashuri, u shpjegoi se natyra ka mënyrën e saj për t’u kujdesur për gjithçka – por edhe se si ne mund të ndihmojmë, pa e prishur ekuilibrin e saj.
Në fund, secili fëmijë mblodhi gjethe, lule dhe gurë të vegjël, për të krijuar korniza pranverore – kujtime të vogla nga kjo ditë e madhe në Ligatinën e Hencit.
Kjo ishte një ditë kur fëmijët u bënë vëzhgues, natyra u bë mësuese, dhe të gjithë ne kuptuam sa e rëndësishme është ta duam dhe ta ruajmë botën që na rrethon.
Shihemi në aventurën tjetër, ku ngjyrat, pyetjet dhe buzëqeshjet nuk do të mungojnë!