PIKË me Veton Surroin

Ku do të jetë kufiri mes Kosovës dhe Serbisë në aspektin gjeopolitik?

 Video e shkëputur nga emisioni i plotë me Sonja BIserkon.

Surroi: Në vitet ‘90, kur studentët protestonin për vjedhjen e zgjedhjeve lokale më 1996, Kisha Ortodokse Serbe u qëndroi pranë studentëve. Këtë herë nuk u qëndroi pranë.

Biserko: Një pjesë e kishës po. Porfirije, patriarku, është shumë i lidhur me Vuçiqin. Kjo tashmë është e qartë, sepse ai mbështet gjithçka që bën ose drejton në vend, por një pjesë e Kishës u rebelua dhe u rreshtua në anën e studentëve. Kjo nuk do të thotë se janë liberalizuar, por thjesht duket se e kanë kuptuar situatën, sepse për shumicën e qytetarëve duket sikur ky është fundi i këtij pushteti.

E dyta, një numër i madh i anëtarëve të SNS-së, përfshirë edhe ata që ishin të lidhur me atë pushtet, distancohen pak, zhduken nga skena dhe me sa duket edhe ata e kuptojnë se ka ardhur fundi. Është e qartë se Vuçiqi tash mund të vazhdojë sundimin e tij vetëm përmes represionit, të cilin ai po e bën. Ai është kthyer thjesht në një faktor që vetëm provokon qytetarët.

Për shembull, ua kanë ndalur pagat mësuesve të shkollave të mesme, tash edhe të fakulteteve. Në fillim e mbajti si një konflikt të mundshëm. Së pari ua ndali rrogat e mësimdhënësve të shkollave të mesme, që të cyste ndonjë diferencim, një rebelim, e nuk ndodhi. Kishte një lloj solidariteti, por tash ka filluar t’ua shkurtojë pagat edhe profesorëve të universitetit.

Dekani u rreshtua në krah të studentëve dhe tash bëhet shumë interesante. Ky transformim i tij është shumë interesant, sepse ai qëndroi me gjithë zemër pas demonstratave dhe në njëfarë mënyre tashmë është figura kryesore në atë skenë, duke qenë se pritet që profesorët të artikulojnë ndonjë problem në njëfarë mënyre, sepse studentët kanë kufizime në këtë drejtim, duke qenë se janë shumë të rinj dhe kërkesat e tyre janë në fakt më të përshtatshme, por nga ana tjetër varet se kush do të marrë mbi vete zbatimin e tyre.

Mbase e merr përsipër universiteti, për ta artikuluar më tej.

Surroi: Mua më duket si viti 1989, kur nuk kishte parti dhe intelektualët duhej t’i formulonin ato kërkesa.

Biserko: Po, saktësisht. Gjithçka sillet në rreth vetëm në rrethana të ndryshme.

Surroi: D.m.th., pas 30 vitesh, ti që ishe pakicë absolute, tash e ke shumicën e madhe pas vetes, për të drejtat e njeriut, për sundimin e ligjit, etj.

Biserko: Studentët nuk janë distancuar vetëm nga pushteti dhe opozita, por edhe nga sektori civil.

Tash kjo është diçka shumë interesante, si arritën të distancohen nga të gjithë. Megjithatë, mendoj se me kalimin e kohës do të bëhet një lëvizje që duhet të artikulojë disa nga vlerat që i synon shoqëria, por nuk do të ndodhë shpejt. Do të jetë një proces deri në 10 vjet. Ka zgjatur shumë gjatë, që nga Millosheviqi e deri më sot.

Është zgjimi i asaj shoqërie që ka qenë gjatë në një lloj ngecjeje a dimërimi Do të ketë fenomene të ndryshme, nuk do të jenë menjëherë rryma liberale... është larg kësaj. Nuk mendoj se duhet të kemi pritshmëri të mëdha, tash menjëherë. Tash ky është një proces që do të tregojë se ku po shkon Serbia dhe për çfarë po përpiqet.

Surroi: Pastaj ka një garë gjeopolitike. Në fillim të këtij shekulli kam shkruar se kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në fakt një kufi fërkimi ndërmjet NATO-s dhe Rusisë. Vitet e fundit kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në aspektin gjeopolitik, ka qenë gjithashtu një vijë fërkimi mes Perëndimit dhe Kinës. Sepse Kina e sheh ndikimin e saj në Serbi.

Por me këtë fërkim të brendshëm, që nuk është vetëm studentor, tashmë është një lëvizje popullore që delegjitimon pushtetin dhe formën e pushtetit, jo këtë pushtet, por pushtetin në përgjithësi, vijmë të pika se kush do të fitojë i pari.

A do të jenë kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë kufiri mes Perëndimit, NATO-s, etj., dhe Lindjes Euroaziatike, apo do të jenë pjesë e një tërësie që po krijohet një zonë sigurie ku njerëzit nuk kanë frikë nga njëri-tjetri...

Emisioni i plotë: