Volejbollistet e Brazilit janë kualifikuar në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike që po mbahen në Paris. Brazilianet të martën e kanë mposhtur Republikën Dominikane 3:0 në sete. Ndeshja u dominua tërësisht nga Brazili. Setin e parë e fitoi 25:22, të dytin 25:13 dhe të tretin 25:17.
Brazili është duke synuar medaljen e artë, pas dështimit në “Tokio 2020”, ku u mposht në finale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjysmëfinalet do të luhen të enjten në “South Paris Arena”.
“Gjithçka që kemi bërë deri më tani është shumë mirë, por pjesa më e vështirë fillon tani. Ne kemi një synim të madh përpara dhe për të po luftojmë çdo ditë. Medalja e artë këtu në Paris është ëndrra e secilës prej nesh, familjeve tona dhe të gjithëve rreth nesh. Dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë këtë ëndërr realitet”, ka deklaruar Ana Cristina Souza pas përfundimit të ndeshjes çerekfinale kundër Republikës Dominikane.