Vendimi për përfshirjen apo jo të boksit në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” do të merret gjatë vitit 2025. Kështu ka thënë të premten presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach.
Gara e boksit në Lojërat e Parisit po organizohet nga IOC-ja, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vitin e kaluar tërhoqi njohjen e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit (IBA), për “dështimin e saj për të zbatuar reformat në qeverisje dhe financa”.
IOC-ja nuk e ka përfshirë ende sportin e boksit në programin për LA 2028 dhe u ka kërkuar federatave nacionale të boksit të krijojnë një organ të ri botëror ose në të kundërtën rrezikojnë të mbesin jashtë Lojërave Olimpike pas katër vjetësh.
“Gjatë vitit të ardhshëm, sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, ne nuk mund të presim më shumë se fundi i vitit të ardhshëm”, ka thënë Bach të premten në konferencë për shtyp, kur u pyet se kur IOC-ja do të vendoste për përfshirjen ose jo të boksit në Lojërat e ardhshme Olimpike.
IOC-ja ka vendosur të mos organizojë vetë garat e boksit në Olimpiadën e ardhshme. Garat olimpike në secilin sport organizohen nga federata ndërkombëtare e sportit përkatës.
Një organizatë e re e quajtur “World Boxing”, u formua në vitin 2023 dhe aktualisht ka 37 anëtarë. Dukshëm më tepër ka IBA, që nuk njihet nga IOC-ja.
IOC-ja e pezulloi IBA-n në vitin 2019 për shkak të qeverisjes, financave, referimit dhe çështjeve etike. Nuk e përfshiu organizatën, ku ndikimi rus është shumë i madh, në drejtimin e ngjarjeve të boksit në “Tokio 2020”, përpara se t’ia hiqte njohjen në vitin 2023.
IOC-ja dhe IBA-ja ishin në mosmarrëveshje prej ditës së parë të Lojërave të Parisit lidhur me pjesëmarrjen e boksiereve Imane Khelif nga Algjeria dhe Lin Yu-ting nga Tajvani.
IBA-ja i përjashtoi ato vjet në mes të Kampionatit Botëror, pas një testi për kromozome. IBA-ja ka përmendur papërshtatshmërinë gjinore, por IOC-ja i ka lejuar të dy boksieret që të garojnë duke insistuar se ato kanë të drejtë.
Është bërë shumë bujë lidhur me pjesëmarrjen e dy boksiereve, ndërsa disa kanë pretenduar se boksieret e tjera po përballen me burra. Kjo tashmë është kaluar, ndërsa dy boksieret tashmë kanë siguruar medaljet olimpike.