Paris 2024

Vendi i pestë në Olimpiadë për Akil Gjakovën

Akil Gjakova

Përditësuar, 18:25 - Vendi i pestë në vend të medaljes së pestë olimpike. Akil Gjakova të hënën i është afruar shumë, shumë pranë podiumit olimpik. Por në fund u rendit i pesti në kategorinë deri 73 kilogramë në turneun e xhudos në Lojërat e Parisit. Vendi i pestë në Olimpiadë është suksesi më i madh në karrierën e Akilit, por edhe i Kosovës sa i takon sportistëve.

Xhudistet tashmë i kanë fituar katër medalje olimpike, që janë më të vlefshmet në sport. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi kanë medalje të arta olimpike. Distria të dielën e shtoi edhe një të argjendtë olimpike në koleksionin e jashtëzakonshëm të saj.

28-vjeçari Akil Gjakova i kishte dy lufta për të fituar medalje. Në gjysmëfinale humbi nga Hidayat Heydarov i Azerbajxhanit. Ndërkohë për vend të tretë, përkatësisht për medalje bronzi humbi nga japonezi Soichi Hashimoto. Ai është kampion i shumëfishtë botëror dhe në Paris ishte bartësi i dytë. Akili ishte bartësi i 13-të. 

Lufta për medalje të bronztë nisi shumë keq për Akilin. Hashimoto realizoi uazari pas pak sekondave. Më pas Akili ka kërkuar hedhjen deri në fund. Por japonezi është mbrojtur me sukses. Hashimoto i kishte dy dënime dhe ka rrezikuar ta pësojë të tretin. Megjithatë e shmangu për fitoren e radhës të Japonisë në “Parisi 2024”.

Akili e kishte rrugën shumë të vështirë. Ditën në “Champ de Mars Arena” e nisi me fitore ndaj brazilianit Daniel Cargnin, medalist olimpik dhe bartës i pestë. Ndaj tij realizoi dy uazari me hedhje të bukura.

Në luftën e dytë realizoi hedhje spektakolare për fitore me Ippon ndaj austriakut Samuel Gassner.
Në luftën e tretë, Gjakova e kishte përballë italianin e papërshtatshëm Manuel Lombardo. Lombardo ishte bartësi i katërt. Ndeshja shkoi në kohën shtesë, kurse Lombardo e pësoi dënimin e tretë. Kështu Akilit i takoi fitorja me Ippon. Tani xhudisti kosovar i ka tri fitore e një humbje me Lombardon, njërin prej më të mirëve në kategori.

Në gjysmëfinale, Akili e kishte përballë bartësin e parë dhe kampionin në fuqi botëror, Heydarovin. Ndaj tij zhvilloi luftë shumë të fortë. E kërkoi vazhdimisht hedhjen dhe në të paktën dy raste iu afrua fitores. Por në minutën e gjashtë, përkatësisht në kohën shtesë, Heydarovi realizoi aksion për uazari dhe për vend në finale. 

Kosova tani e kërkon medaljen e pestë olimpike, të dytën në Paris, të martën. Në tatamin e arenës që vazhdimisht po mbushet me mbi tetë mijë shikues paraqitet Laura Fazliu. Ajo është bartësja e tretë në kategorinë deri 63 kilogramë dhe kështu pretendente e fuqishme për medalje.
 


Akili lufton me japonezin Hashimoto, bartësin e dytë

Japonezi Soichi Hashimoto është kundërshtari i Akil Gjakovës në luftë për medalje të bronztë olimpike.
Hashimoto është bartësi i dytë në kategorinë deri 73 kilogramë.

Ai ka një titull të botës në konkurrencë individuale e shumë tituj në konkurrencë ekipore. 

Ka edhe medalje tjera botërore. Lista e sukseseve të Hashimotos është shumë e gjatë.Akili  i ka humbur dy luftërat e zhvilluara me Hashimoton.


Akil Gjakova lufton për medalje të bronztë olimpike

E përditësuar, 17:15 - Akil Gjakova do të luftojë për medalje të bronztë olimpike. Në gjysmëfinale të kategorisë deri 73 kilogramë, Akili u mposht nga bartësi i parë dhe kampioni në fuqi i botës, azerbajxhanasi Hidayet Heydarov.  Heydarov realizoi uazari në kohën shtesë. Lufta ishte mjaft e fortë dhe të dy xhudistët patën nga dy dënime. 

Akili ka ende mundësinë për të shkruar histori.  Asnjë sportist nuk ka fituar medalje olimpike duke prezantuar Kosovën. 

Kosova tashmë i ka katër medalje olimpike, të gjitha nga xhudistet.
 


Akili lufton me Heydarovin për medalje olimpike

E përditësuar në 15:34 - Hidayat Heydarov i Azerbajxhanit është kundërshtari i Akil Gjakovës në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike. 

Pra xhudisti kosovar e ka përballë kundërshtarin më të fortë të mundshëm. Heydarovi është bartësi i parë i turneut olimpik në xhudo.

27-vjeçari është kampion në fuqi i botës, ndërsa ka edhe katër medalje të bronzta botërore. I ka edhe plot katër tituj të Evropës. Njëjtë si Akili,  po e kërkon medaljen e parë olimpike.

Bilanci  i Heydarovit me Akilin  është pesë fitore e një humbje.


Gjysmëfinaleeeeeeeeeeeee

Akil Gjakova është në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike “Parisi 2024”. Pra është vetëm një fitore larg medaljes olimpike.

Në çerekfinale të kategorisë deri 73 kilogramë, Akili e mposhti xhudistin cilësor nga Italia, Manuel Lombardo. 

Lombardo është bartësi i katërt e Akil Gjakova bartësi i 13-të. Por fitorja i takoi xhudistit kosovar që marshon drejt suksesit historik.


Bilanci i Akilit me Lombardon, kundërshtarin e radhës

Italiani Manuel Lombardo është kundërshtari i Akil Gjakovës në çerekfinale të Lojërave Olimpike.

Lombardo është prej xhudistëve më të mirë të kategorisë deri 73 kilogramë. Është bartësi i katërt. Me Lombardon, Akili ka dy fitore e një humbje.

Kishte fituar në vitin 2022 dhe vjet në finale të Evropianit të Hapur në Prishtinë.

Ndërkohë ka pësuar në 1/8 e finales në Botërorin e vitit të kaluar në Doha.
25-vjeçari Lombardo i ka dy medalje të argjendta botërore dhe një të artë evropiane.

Akili tashmë e ka mposhtur medalistin olimpik, brazilianin Daniel Cargnin, që ishte bartësi i pestë. E mposhti  edhe austriakun Samuel Gassner.


Super-Ippon nga Akil Gjakova

Akil Gjakova e ka kaluar edhe pengesën e dytë në Lojëra Olimpike.

Me hedhje të bukur për Ippon, Akili e mposhti austriakun Samuel Gassner.

Tani është në çerekfinale.


Fitore me Ippon për Akil Gjakovën

Akil Gjakova e ka nisur me fitore paraqitjen në Olimpiadë. E mposhti brazilianin Daniel Cargnin.


Mposhtet Nora Gjakova

Nora Gjakova është ndalur në luftën e parë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Në kategorinë deri 57 kilogramë, Nora humbi nga Enkhriilen Lkhagvatogoo e Mongolisë. Lufta ishte e vlefshme për xhiron e parë.

Lufta ishte e fortë, por pa hedhje. Shkoi në kohën shtesë, ndërsa Nora e pësoi dënimin e tretë. Mongolja mbeti me dy dënime dhe kështu avancoi në xhiron e dytë.

Nora ka fituar medaljen e artë olimpike në kategorinë deri 57 kilogramë në Tokio, tri vjet më parë. Por tani do të ketë kampione tjetër olimpike.


Fillojnë garat e xhudos, sot paraqiten Nora e Akili

Ka nisur gara e xhudos në ditën e tretë të Lojërave Olimpike.

Në Paris sot zhvillohen garat në kategorinë deri 57 kilogramë te xhudistet dhe kategorinë deri 73 kilogramë te xhudistët. 

Kosova prezantohet me Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin.