Paris 2024

Udhëtimi mes urimeve i ekipit kosovar të xhudos

Driton Kuka me Distria Krasniqin e Laura Fazliun, dy medalistet olimpike nga "Paris 2024"

Një vullnetar e pyet Laura Fazliun për një fotografi. Të tjerë vullnetarë e udhëtarë pyesin për rezultatet e Kosovës. Urojnë më pas.

Atmosfera festive e triumfuese në ekipin e Kosovës në xhudo vërehej me të arritur të ekipit në aeroportin “Charles de Gauelle” në Paris, të dielën mbrëma. 

Shtyrja e fluturimit për në Vjenë për rreth dy orë, ndikoi në disponimin e dy xhudisteve që fituan medaljet në Lojërat e Parisit, por edhe anëtarët e tjerë të ekipit të kryemjeshtrit Driton Kuka.

Të gjithë janë të interesuar të kthehen në shtëpi sa më shpejtë. Fituesja e medaljes së argjendtë olimpike, Distria Krasniqi dhe fituesja e medaljes së bronztë olimpike, Laura Fazliu, ende duken disi si në “mjegull”. Për një ndjenjë zbrazëtie pas realizimit të synimit, Distria ka folur disa herë tashmë. Për tre vjet fokusi i saj ishte të fitohet medalja olimpike. Pasi u arrit synimi, ndjenja është disi e çuditshme, tregon Distria.

Laura duket që ende nuk e ka kuptuar mirë suksesin madhor që e ka arritur. Medalja olimpike është më e vlefshmja në sport.

Qëndrimi i gjatë në aeroportin “Charles de Gauelle” kalohet duke biseduar me kryemjeshtrin Driton Kuka, kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka dhe ndihmësin besnik të kryemjeshtrit, trajnerin Fatos Tabaku.

Tema dihet - sporti. Xhudoja kryesisht, por edhe Lojërat Olimpike, sporti kosovar në përgjithësi. Gjithnjë biseda dërgonte te paraqitja e xhudistëve në Paris. Analiza nga më të ndryshme. Shkëmbim idesh dhe vlerësime për suksesin e arritur. Por edhe keqardhje maksimale që Akil Gjakova mbeti pa medalje. 

Akili iu afrua shumë pranë asaj. Shkëlqeu gjatë gjithë garës në kategorinë deri 73 kilogramë. Në një luftë shumë të fortë, ku me shumë mundësi iu mohua një uazari, humbi në gjysmëfinale nga barësi numër një. Për medalje të bronztë humbi nga një japonez, që ishte bartësi numër dy. Edhe me japonezin luftoi shumë, shumë mirë.

“Po më dhemb zemra pasi ka mundur të bëhet kampion olimpik. Më ka këputur shpirtin. Ishte në ditën ndoshta më të mirë në karrierë. Më thoshte se kur po më flet po më duket si në stërvitje. Pra i kuptonte të gjitha. Kokën e kishte shumë në rregull dhe e ka merituar të artën olimpike”, thotë kryemjeshtri Kuka gjatë bisedës.

Duket që ai ka nevojë të flasë për garën në Paris. Të reflektojë për të arriturën kulmore. Dhe për rastin e artë të lëshuar. 

Koha kalon shpejtë. Udhëtimi për në Vjenë bëhet pak para orës 23:00. Me të arritur në kryeqendrën austriake, shpejt e shpejt ndërrohet avioni dhe bëhet nisja për në Prishtinë, pas mesnate. 
Policja kufitare austriake e pyet Distrinë për paraqitjen në Olimpiadë. Kur Disi i tregon për medaljen e argjend, policja mbetet e habitu dhe e uron për suksesin. 

Ka duartrokitje të lehta kur ekipi futet në avionin për në Prishtinë, e ku shumica e udhëtarëve janë shqiptarë. Piloti po ashtu e uron ekipin olimpik të Kosovës për suksesin e arritur dhe duartrokitje më të fuqishme dëgjohen nga udhëtarët e tjerë.

Një çerek pas orës dy, të hënën në mëngjes, ekipi i xhudos arrin në Kosovë. Me dy medalje olimpike që do të shtohen në koleksionin tashmë shumë të pasur të tij. Xhudistët shpejt nisën për në Pejë. 
Pas ceremonive që do të mbahen gjatë kësaj jave, xhudistët nisin pushimet e merituara. Por jo shumë të gjata.

Shtatori do t’i bashkojë sërish në sallën e Qendrës Nacionale të xhudos në Pejë. Synimet do të jenë tjera në muajt e ardhshëm. Por synimi final mbetet i njëjtë.

“Duket larg, por puna për Olimpiadën e ardhshme nis menjëherë”, thotë kryemjeshtri Kuka, arkitekti i kësaj vepre madhore për vendin e shqiptarët.