Qitësi turk, Yusuf Dikec, që u bë viral për mënyrën e garimit në Lojërat Olimpike të Parisit, tha se kishte “stuhi” brenda tij, pasi fitoi medaljen e argjendtë në garën ekipore mikse në gjuajtje me pistoletë ajrore në 10 metra. Dikec u bë i famshëm për faktin se nuk i kishte pajisjet e qitësve të tjera, ndërsa mbante njërën dorë në xhep derisa kryente gjuajtjet e sakta.
Qëndrimi i tij i veçantë i solli Dikecit tifozë të shumtë. Ka pasur shumë postime pasi fotografitë e tij nga Parisi u shpërndanë në internet. Ikona e re e atletikës, Mondo Duplantis, festoi sipas mënyrës se si Dikeci garon, ndërsa postimet e Elon Musk bënë që turku të ketë famë globale.
Ai shmangu pajisjet e teknologjisë së lartë që i kanë garuesit e tjerë në qitje. Zgjodhi syze të rregullta kur së bashku me Sevval Ylayda Tarhan fituan medaljen e argjendtë dhe siguruan vendin në podiumin olimpik.
“Në atë moment të gjithë më thonë se dukesha i qetë, por në fakt stuhitë po shpërthenin brenda meje”, tha Dikec, ish-oficer i xhandarmërisë turke.
“Mendoj se poza ime e gjuajtjes përfaqësonte shumë mirë frymën olimpike: lojën e ndershme, thjeshtësinë, qartësinë dhe natyrshmërinë. Kjo mendoj që është arsyeja pse poza ime mori aq shumë vëmendje”, ka thënë sportisti turk.
Fama e Dikecit u bë edhe më e madhe pas ndërveprimit me Elon Muskun në X.
Duke ndarë një foto nga Olimpiada, Dikec shkroi: “Përshëndetje Elon, a mendoni që robotët e ardhshëm mund të fitojnë medalje në Lojërat Olimpike me duar në xhepa? Si thua për një diskutim për këtë në Stamboll, në kryeqytetin kulturor që bashkon kontinentet?”.
Musk u përgjigj: “Robotët do të godasin në qendër vazhdimisht”.
Garuesi nga Suedia në kërcim me purtekë, Duplantis imitoi pozën e veçantë të Dikecit pas fitores në Lojëra Olimpike. Duplantis theu tjetër rekord të botës në kërcim me purtekë.
“Është mirë të shohësh që njerëzit me zemër të mirë ndihen afër njëri-tjetrit”, tha Dikec.
Lidhur me synimet që i ka në karrierë, Dikec tha: “Unë dhe partnerja ime do të marrim medaljen e artë në Lojërat ‘Los Angeles 2028’”.
Ai i ka thënë medalistit të artë në Paris se “ia ka huazuar medaljen e artë deri në vitin 2028”.