Paris 2024

Tifozja i shpenzoi kursimet për ta përcjellë Olimpiadën e shtatë

Tifozja i shpenzoi kursimet për ta përcjellë Olimpiadën e shtatë

Foto: Associated Press

Tifozja Vivianne Robinson është e mbuluar me flamuj e zbukurime dhe është e vështirë të mos shihet nëpër rrugët e Parisit. 

“Supertifozja” e Lojërave Olimpike ka përcjellë shtatë ngjarje përgjatë 40 vjetëve. 

Por, udhëtimi në Paris ka ardhur me një çmim të lartë, 10 mijë dollarë për të qenë më i saktë. 

66-vjeçarja nga Los Angeles ka punuar dy ndrrime për ta siguruar udhëtimin dhe 38 biletat të cilat i bleu për ngjarjet sportive në kryeqendrën franceze.

Ajo ka punuar në plazhin Venice gjatë ditës dhe në dyqan në mbrëmje. 

Ajo ka thënë për agjencinë e lajmeve “Associated Press” të mërkurën se i është dashur të punonte dy vjet, në mënyrë që t’i mblidhte paratë të cilat ka nisur t’i shpenzojë për pasionin e saj, Lojërat Olimpike Verore në Paris. 

“Ka qenë e vështirë për t’i mbledhur ato para dhe është buxhet i madh, por ia ka vlejtur mijëra herë”, thotë ajo. 

Megjithatë, ajo ka mbetur paksa e dëshpëruar sepse ka paguar 1600 dollarë për ceremoninë hapëse, por ka përfunduar duke e shikuar përmes ekranit në urë. 

Gjatë intervistës, njerëzit që kanë kaluar pranë i kanë thënë Robinsonit që ta përdorë famën e saj, të hap një llogari, dhe të kërkojë nga njerëzit të kontribuojnë për pasionin që ajo ka. 

Pasioni për Olimpiadën ka nisur qëkur nëna e saj punoi si përkthyese për sportistët në “Universitetin e Kalifornisë” në Los Angeles, në Olimpiadën e vitit 1984. Ajo merrte dhurata nga sportistët e shteteve të ndryshëm, dhe kur kthehej në shtëpi, të gjitha ia dhuronte vajzës së saj. 

Përveç në Los Angeles, ajo ka përcjellë edhe Olimpiadat e viteve 1996 në Atlanta, “Sydney 2000”, “Athina 2004”, “Londra 2012” dhe “Rio 2016”. Siguroi vizën për në “Pekini 2008”, por nuk mblodhi paratë që do t’ia mbulonin udhëtimin. Në “Tokio 2020”, ngjarja u mbajt pa tifozë shkaku i koronavirusit.