Me ndeshjet e futbollit kanë nisur garat në lojërat olimpike “Parisi 2024”. Por nuk ishte një fillim i qetë.
Ka pasur tifozë që kanë hyrë në fushën e lojës në minutat e fundit të takimit mes Argjentinës dhe Marokut. Në fushë më pas janë futur edhe forcat franceze të policisë. Argjentina shënoi gol në minutën e 16-të shtesë për të barazuar rezultatin në 2:2. Me këtë rezultat edhe përfundoi sfida problematike.
Goli shkaktoi valë zemërimi te tifozët e Marokut, që ishin në stadiumin “Geoffroy-Guichard” në St. Etienne.
Tifozët ia dolën të kalojnë pjesëtarët e sigurisë dhe të futen në fushën e lojës. Arbitri më pas kërkoi nga lojtarët që të largohen nga fusha.
Policia e trazirave u vendos para tunelit përmes të cilit lojtarët largohen nga fusha. Por kjo nuk ndaloi që mjete plasëse të hidheshin në fushë. Kjo bëri që lojtarët e Argjentinës të largohen duke vrapuar. Një mjet plasës ra pranë tyre.
Ndër lojtarët më të njohur te Argjentina në fushë ishin: Geronimo Rulli, Nicolas Otamendi dhe sulmuesi i Manchester Cityt, Julian Alvarez.
Achraf Hakimi, që udhëhoqi Marokun edhe në Botërorin 2022, ishte në fushë te kjo përfaqësuese.
Ndeshja i takoi raundit të parë të fazës grupore të turneut olimpik në futboll.
Qëndrimi jomiqësor i tifozëve të Marokut u vërejt ende pa nisur ndeshja. Ata kanë brohoritur derisa po intonohej himni i Argjentinës. Tifozët marokenë ishin më të lumtur në të shumtën e kohës. Dy golat e Soufiane Rahimi bënë që Maroku të ishte në epërsi për kohë të gjatë. Giuliano Simeone ktheu shpresën e argjentinasve në mesin e pjesës së dytë, para se Cristian Medina të shfaqej në minutën e 106-të për golin e barazimit dhe pikën e madhe të Argjentinës.
Iraku dhe Ukraina janë dy përfaqësueset e tjera të këtij grupi.